Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, i është përgjigjur zyrtarisht kërkesës së kryesuesit të seancës konstituive të Legjislaturës së Nëntë të Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari, duke theksuar se garantimi i funksionimit kushtetues të institucioneve është përgjegjësi thelbësore e saj si Presidente.
Në letrën drejtuar Kuvendit, Osmani ka potencuar se Kushtetuta e Republikës dhe praktika gjyqësore e Gjykatës Kushtetuese kërkojnë interpretim që e mundëson, e jo që e pengon, themelimin dhe funksionimin kushtetues të institucioneve.
Ajo citoi Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në Rastin Nr. K072/20, ku thuhet se strukturat kushtetuese duhet të interpretohen në mënyrë që të “jetësojnë dhe jo të bllokojnë” funksionimin e pushteteve të dala nga vota e qytetarëve.
Në të njëjtën linjë, Presidentja përmendi edhe Aktgjykimin tjetër të Gjykatës në rastin Nr. K0119/14, ku është theksuar obligimi i të gjithë deputetëve që të gjejnë mënyra për ta funksionalizuar Kuvendin, si dhe përgjegjësia e kryesuesit të seancës konstituive që të përmbushë detyrat në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Punës së Kuvendit.
Duke iu referuar këtyre parimeve, Osmani theksoi se praktika gjyqësore e Gjykatës Kushtetuese tashmë ka karakter detyrues, dhe se është përgjegjësi e të gjithëve që të kontribuojnë në funksionalizimin e institucioneve që burojnë nga vullneti qytetar.


