Parashikohen reshje shiu me intensitet të lartë në veri dhe jug të vendit

nga D. V.

Instituti i Gjeoshkencave (IGJEO) ka publikuar parashikimin e fundit të kushteve hidrometeorologjike, duke paralajmëruar reshje intensive shiu në disa zona.

Sipas njoftimit zyrtar, sot pasdite dhe nesër priten reshje me intensitet të lartë, kryesisht në veri dhe jug të vendit. Në qarqet Shkodër, Kukës, Lezhë, Vlorë dhe Gjirokastër mund të ketë vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë dhe rrëshqitje të dherave. Në zonat urbane, në këto qarqe mund të shfaqen probleme me përmbytje të lokalizuara, në varësi të gjendjes së kanalizimeve.

Sipas llogaritjeve hidrologjike të IGJEO-s, si rezultat i reshjeve me intensitet të lartë të rëna gjatë ditëve të kaluara, të cilat do të vazhdojnë deri ditën e enjte, do të ketë rritje të rrezikshme të prurjeve dhe niveleve në lumenjtë Drin-Buna, liqenin e Shkodrës, si dhe në lumenjtë Mat, Shkumbin dhe Vjosë.

IGJEO thekson se “lumi Drin-Buna dhe liqeni i Shkodrës do të kenë rrezik të shtuar për përmbytje me prurje dhe nivele të larta në vazhdim të ditës së sotme dhe të nesërme”.

Instituti i Gjeoshkencave parashikon se sot pasdite dhe nesër në qarqet Shkodër, Kukës, Vlorë dhe Gjirokastër priten reshje intensive deri lokalisht shume intensive. Në qarqet Lezhë, Berat dhe Korçë priten reshje mesatare deri lokalisht intensive. Në qarqet e tjera priten reshje të dobëta deri mesatare.

Temperaturat për ditën e nesërme pritet të arrijnë në bregdet: 13/17 °C, në vendet e ulëta: 12/17 °C dhe në vendet malore: 5/11 °C.

Era sot dhe nesër pritet të fryjë mesatare deri e fortë në bregdet dhe në veri.

IGJEO do të vijojë të përditësojë qytetarët dhe autoritetet lokale lidhur me të dhënat e fundit të situatës atmosferike në vend, në varësi të zhvillimit të situatës.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More