Partia Demokratike është kundër strukturës së re të komisioneve parlamentare të propozuar nga Partia Socialiste për ngritjen e 11 komisioneve.
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi tha sot pas takimit konsultues me kryetarin e Kuvendit Niko Peleshi dhe krerët e grupeve parlamentare, se ndarja e re komisioneve parlamentare dhe procedura që po ndiqet, është në shkelje me rregulloren.
Sipas kreut të grupit të PD-së me propozimet e PS-së vihet re një ngushtim të rolit drejtues që kishte opozita.
“Një komision i drejtuar nga opozita, është ndarë në tre komisione. Pra PD nga 3 komisione, tani i bie të drejtojë një komision e gjysmë.
“Për opozitën është e papranueshme që në Asamblenë e PS-së të njoftohet opinioni publik mbi organizmin e Kuvendit të Shqipërisë. Kuvendi i Shqipërisë dhe komisionet parlamentare të tij janë mekanizma pune të përbashkëta të mazhorancës dhe opozitës.
“Fakti i prezantimit të ndryshimeve në Asamblenë e Përgjithshme të PS-së, fakti i bërë sot i kryer me caktimin e kryetarëve dhe zëvendëskryetarëve të PS, tregon frymën autoritare që është instaluar në Republikën e Shqipërisë. Për ne është e papranueshme”, tha Bardhi.
Sipas Bardhit, mazhoranca po synon që të përjashtojë opozitën nga procesi i integrimit.
“Së dyti, kemi sqaruar se me veprimin e shkrirjes së Komisionit të Integrimit Evropian, praktikisht mekanizmi që kishte në dorë opozita për rolin e saj kontruktiv dhe për të dhënë konsensus në gjithçka që lidhej me procesin e integrimit, në këtë moment zerohet, për shkak se ky komision është bashkuar me atë të jashtëm, dhe pas 21 viteve opozita nuk do të ketë më procesin e drejtimit të këtij procesi në Kuvendin e Shqipërisë. Qëndrimi se nuk kemi shkrirë Komisionin e Integrimit, por Komisionin e Jashtëm, në fakt pasqyron atë që kemi thënë, vullnetin e mazhorancës për të përjashtuar opozitën nga procesi i integrimit”, tha Bardhi.
Bardhi shtoi se “na u soll si argument se kemi ndjekur modelin e organeve të Bundestagut gjerman. Atje ka edhe komision të Jashtëm, edhe të Çështjeve Evropiane”.
Bardhi theksoi se Shqipëria bëhet i pari vend në rajon që nuk ka një komision të dedikuar për integrimin evropian.
“Grupi parlamentar i PD u ka kërkuar institucioneve të Kuvendit të bëjnë një studim se si janë të organizuara komisionet parlamentare në të gjitha vendet e rajonit dhe së dyti, se si janë të organizuara komisionet parlamentare në disa prej vendeve anëtare të BE. Dhe sipas studimit të vetë Kuvendit, në të gjitha vendet e Ballkanit ka edhe komision të integrimit evropian, që në të gjitha vendet drejtohet nga opozita, ka edhe komisionet për punët e jashtme dhe Shqipëria bëhet i pari vend që jo thjesht përjashton opozitën nga procesi i integrimit, dhe nuk ka një komision të dedikuar për integrimin evropian”, tha Bardhi.
Bardhi tha se zvogëlohet roli që ka secili prej komisioneve.
“Asnjë nga komisionet tematike, nuk do të ketë mundësi të ushtrojë funksionin e vet të kontrollit për zbatimin e ligjeve për shkak të komisioneve të veçanta”, tha Bardhi.
Bardhi tha se plani i mazhorancës për të mbledhur Kuvendin në tri ditë me urgjencë, sikur të jemi në gjendje të jashtëzakonshme, shkel rregulloren e Kuvendit dhe kjo nënkupton shkelje të Kushtetutës.
Edhe kryetari i PD-së Sali Berisha në një deklaratë për mediet paralajmëroi se opozita nuk do ta votojë strukturën e re të komisioneve parlamentare.
“Këtë ndryshim të strukturës parlamentare, ne nuk e votojmë. Ndahet një komision në tre komisione për t’ia dhënë opozitës”, tha Berisha.
