Përfshirja sociale si mision i rinisë, çfarë përfaqëson shkolla e parë verore?

nga I.A

Shkup, 17 qershor – Në një kohë kur pjesëmarrja e të rinjve në jetën publike, sociale dhe politike sfidohet nga mungesa e hapësirës për shprehje dhe ndjesia e mosbesimit ndaj institucioneve, iniciativa si Shkolla e parë Kombëtare Verore për Përfshirje Sociale, e mbajtur në Mavrovë nga 16 deri më 20 qershor, përfaqësojnë më shumë sesa një trajnim apo ngjarje sezonale ato janë platforma konkrete për ndryshim shoqëror, shkruan Zhurnal.

Me ritëm të tillë të aktivizimit të të rinjve duhet të vazhdohet akoma –

Organizuar nga Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, në bashkëpunim me GIZ-in gjerman, kjo shkollë verore grumbullon rreth 40 të rinj nga i gjithë vendi, duke u ofruar atyre jo vetëm dije të reja, por mbi të gjitha një përvojë jetësore për ndërtimin e një identiteti qytetar aktiv dhe përgjegjës.

Qasja “Sporti për Zhvillim”, që përdoret si boshti metodologjik i këtij programi, nuk është një zgjedhje e rastësishme. Sporti, përveç dimensionit të tij fizik dhe kompetitiv, është një mjet i fuqishëm pedagogjik, bashkues dhe emancipues. Përmes lojës, bashkëpunimit dhe sfidës, të rinjtë mësojnë jo vetëm të fitojnë apo të humbin me dinjitet, por edhe të dëgjojnë tjetrin, të komunikojnë pa paragjykime dhe të ndërtojnë ura bashkëpunimi mbi dallimet.

Çfarë e bën këtë iniciativë edhe më domethënëse është adresimi i mungesës së përfshirjes sociale si një sfidë shumëdimensionale, jo vetëm në kuptimin ekonomik apo institucional, por edhe në aspektin emocional dhe identitar. Shkolla verore nuk është thjesht një “kamp trajnimi”, por një prototip i shoqërisë që duam të ndërtojmë: gjithëpërfshirëse, solidare, e drejtë dhe e hapur ndaj energjisë rinore.

Fjalimi i Sekretarit Shtetëror, Fatmir Sabriu, në hapjen e shkollës ishte një manifest për potencialin transformues të rinisë: “Energjia, kreativiteti dhe dëshira juaj për drejtësi janë çelësi i ndërtimit të një shoqërie ku të gjithë kanë shanse të barabarta”. Një mesazh që në thelb përkufizon nevojën urgjente për investim të qëndrueshëm dhe të vazhdueshëm në të rinjtë, jo vetëm me fjalë, por me politika konkrete dhe projekte të qëndrueshme.

Shkolla verore është një hap i rëndësishëm, por nuk duhet të mbetet i vetëm. Angazhimi i të rinjve për përfshirje sociale duhet të jetë proces i përhershëm, i mbështetur nga politika publike afatgjata, infrastrukturë arsimore më gjithëpërfshirëse, programe mentorimi dhe hapësira ku zëri i tyre të dëgjohet realisht.

Të rinjtë nuk janë “e ardhmja” siç thonë shpesh klishetë politike ata janë e tashmja që ka nevojë për mundësi reale për të ndërtuar të nesërmen. Nëse duam një shoqëri të drejtë, demokratike dhe të shëndetshme, nuk mjafton të flasim për të rinjtë duhet të flasim me ta, t’i përfshijmë dhe t’u besojmë. /Zhurnal.mk

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More