Shkup, 29 tetor – Të rinjtë adoleshent ndodhen në fazën më delikate të formimit të karkaterit të tyre. Shumë të rinj ia dalin ta tejkalojnë këtë fazë, por një pjesë e tyre ngecin dhe thellohen në momente të ndryshme që në fakt në dukje të parë janë tejet të thjeshta e të lehta por mendimet e tyre i bëjnë që të jenë të rënda e të pa tejkalueshme, që për pasojë zgjedhin metodat më të rënda e komplekse për zgjedhjen e tyre. Madje, sipas hulumtimit të fundit nga UNICEF thuhet se një nga shtatë të rinj vuajnë nga çrregullime mendore. E këto shifra janë alarmante dhe aspak të këndshme për gjendjen kolektive rinore, shkruan Zhurnal.
Shifra alarmante, një nga shtatë të rinj në Evropë vuan nga çrregullime mendore –
Një në shtatë adoleshentë evropianë vuan nga çrregullime mendore”, thotë UNICEF-i. Kjo organizatë e OKB-së thekson se si afërsisht gjysma e të gjitha problemeve të shëndetit mendor globalisht shfaqen pak a shumë para moshës 18-vjeçare. “Shumë fëmijë janë të mbushur me trishtim, dhimbje ose ankth. Disa pyesin se ku po shkon kjo botë dhe cili është vendi i tyre në të. Është një ajsberg që ne e kemi injoruar për një kohë të gjatë dhe, nëse nuk veprojmë, do të vazhdojmë të kemi rezultate katastrofike për fëmijët dhe shoqëritë, shumë kohë pas përfundimit të pandemisë”, theksoi Henrietta H. Fore, drejtore ekzekutive e UNICEF-it.
Sipas raportit të UNICEF-it rreth 11,2 milionë fëmijë dhe të rinj të moshës 19 vjeç (5,9 milionë meshkuj dhe 5,3 milionë femra) në Bashkimin Evropian vuajnë nga një problem i shëndetit mendor. Në mesin e njerëzve të moshës 15-19 vjeç, rreth 8% vuajnë nga ankthi dhe 4% nga depresioni.
Vetëvrasja është shkaku i dytë i vdekjes (pas aksidenteve rrugore) tek të rinjtë e moshës 15 deri në 19 vjeç në Bashkimin Evropian. Në vitin 2020, rreth 931 të rinj vdiqën nga vetëvrasja në BE, ekuivalente me humbjen e rreth 18 jetëve në javë. Rreth 70% e të rinjve të moshës 15-19 vjeç në BE që vdesin nga vetëvrasja janë meshkuj. “Ne nuk mund të presim më gjatë, nuk mund të zhgënjejmë një brez tjetër”, përfundoi Henrietta H. Fore. Apeli është që të kujdesemi që këto çrregullime të identifikohen dhe trajtohen në kohë dhe që komunitetet dhe institucionet të kujdesen për krijimin e një rrjeti për të mbështetur më të cenuarit.
E shifra të tilla të ngjashme ka pasur edhe në vendin tonë: çdo i dyti adoleshent në RMV shpreh probleme të shëndetit mendor –
Pothuajse gjysma e fëmijëve nga mosha 11 deri në 15 vjeç në Maqedoninë e Veriut, që janë anketuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, janë shprehur se kanë probleme që lidhen me shëndetin mendor.
Në raportin e Zyrës për Evropën të Organizatës Botërore të Shëndetësisë thuhet se të anketuarit kanë shprehur pakënaqësi të ndryshme, si simptoma psikosomatike (kokëdhimbje, dhimbje të stomakut, nervozë, probleme me gjumin, mungesë të disponimit si dhe pakënaqësi të tjera.
Në bazë të këtij studimi, që ka të bëjë me shëndetin mendor të fëmijëve të moshave shkollore, 45 për qind e vajzave 15 vjeçe kanë pasur simptoma depresive për më shumë se dy javë rresht, përderisa 34 për qind e vajzave të kësaj moshe janë shprehur se ndihen të paafta për ta tejkaluar këtë gjendje depresive.
“Adoleshentët kanë filluar të ndjejnë trishtim, dëshpërim, inat, keqardhje të paarsyeshme dhe nganjëherë edhe qajnë, humbin interesin për ata që duan, kanë çrregullime të gjumit dhe mungesë oreksi. Përgjegjësia dhe sakrifica që u kërkohet adoleshentëve që nga shfaqja e pandemisë, një përgjegjësi jo vetëm për ruajtjen e shëndetit të tyre, por edhe të tjerëve është sakrificë, dhe dëshirat që kishin dhe nuk arritën t’i realizonin, i bëri ata që të shfaqin shenja të depresionit të thellë”, kishte deklauar psikologia, Edlira Destani, për REL.
Megjithatë, kemi të bëjmë me çështje që janë mjaftë problematike dhe që kërkojnë trajtim serioz sepse rastet e tilla sa shkojnë e shtohen pasi nuk ka akoma kurim adekuat. Prandaj, kur kemi të bëjmë me probleme sistematike kërkohet intervenim sistematik e rrënjësor që nga shkollat e ulëta në angazhimin e psikologeve për fëmijë të cilët do të ndihmojnë fëmijët në gjitha peripecitë që ata kalojnë.
Në të kundërtën, përdorimi i rrjeteve sociale në maksimumin e mundshëm, involimimi në lojëra shumë të rrezikshme, janë faktorët kryesor që po rrënojnë gjendjen emocionale të të rinjve e kjo pastaj për pasojë po sjellë edhe veprimet agresive e deri në mbylljen apo izolimin e tyre që dërgon drejt një desocializimi të paarsyeshëm. /Zhurnal.mk