Rama: BSH model se si duhet të funksionojnë institucionet e pavarura

nga D. V.

Kryeministri Edi Rama vlerësoi sot rolin e Bankës së Shqipërisë në 100 vite të funksionimit të saj, ndërsa e cilësoi model në mënyrën se si duhet të jenë institucionet e pavarura të vendit.

Rama iu adresua sot me një fjalë konferencës shkencore me rastin e 100-vjetorit të Bankës së Shqipërisë, ku vlerësoi rrugëtimin e këtij institucioni dhe integrimin e tij në institucionet financiare ndërkombëtare.

Kryeministri theksoi se Banka e Shqipërisë është ndër të vetmit institucione që mund të quhet i tillë, duke pasur parasysh standardet që ofron.

Rama kujtoi përpjekjet e Ismail Qemalit në vitin 2013 për krijimin e Bankës së Shqipërisë, i cili e konsideronte këtë hap “një deklaratë të dytë pavarësie, këtë herë për pavarësi ekonomike”.

Ndërsa bëri një historik të rolit që kanë marrë Bankat Qendrore në Europë në përballje me kriza të ndryshme ndër vite, Rama theksoi se sot Banka e Shqipërisë gjendet në një hartë krejt të re nga harta ku ajo u vendos në fillesat e saj.

Pas pandemisë globale dhe luftës në Europë, Rama u shpreh se sot jemi të gjithë të vetëdijshëm se politika monetare nuk matet më vetëm me normën bazë por matet detyrimisht edhe me pritshmëritë drejt normalizimit.

“Kjo do të thotë transparencë, kreativitet dhe kurajo hap pas hapi me vigjilencë dhe pa panik nga befasitë gjithmonë e më të pranishme në jetën e përditshme të vendeve dhe fshatit tonë global”, shtoi ai.

Në këtë kontekst, Rama tha se sfida e Bankës tonë Qendrore është e dyfishtë pasi nga njëra anë duhet të shikoj përtej të sotmes dhe shumë më larg në të ardhmen dhe të vazhdojë të provojë se është në lartësinë e duhur për sa i takon funksionit të saj bazë tradicional.

Ndërkohë që vendi hedh me shpejtësi hapat në procesin e integrimit, Rama theksoi se duhet menduar se çfarë duhet të bëjmë më shumë për të mos u gjendur para pamundësisë për t’i mbyllur grupkapitujt, ndërkohë që hapësira e kohës që kemi është shumë e ngushtë.

“Bota po ndryshon me një shpejtësi marramendëse dhe të rejat që penetrojnë globalisht por edhe lokalisht botën e financave, të parasë, janë vërtetë të atilla që tronditin deri në themel atë që deri pak kohë më parë dukeshin çështje të zgjidhura.

“Bankat Qendrore duhet të mendojnë bashkërisht për ekuilibrat përtej kufijve kombëtarë. Sot digjitalizimi me AI dhe zhvillimet në botën e parasë, pagesat e menjëhershme, bankat digjitale, kriptomonedhat sjellin me vete oportunitete të jashtëzakonshme dhe dilema të jashtëzakonshme po ashtu”, tha Rama.

Këto koncepte, sipas Ramës, duhen integruar në mënyrën tradicionale të të menduarit.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More