Shkup, 12 nëntor – Në skenën politike të Maqedonisë së Veriut pritet një rikonstruim i rëndësishëm qeveritar, që sipas informacioneve të deritanishme, do të sjellë ndryshime të dukshme në përbërjen e kabinetit.
Burime brenda koalicionit qeverisës bëjnë të ditur se në vend të Izet Mexhitit, në postin e zëvendëskryeministrit të parë pritet të ulet Bekim Sali. Ky ndryshim shihet si pjesë e një riorganizimi të balancuar mes partive partnere në pushtet.
Ndërkohë, në krye të Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor përflitet emri i Muamet Hoxhës, i cili pritet të zëvendësojë funksionarin aktual.
Nga ana tjetër, në dikasterin e ekonomisë dhe punës largohet Besar Durmishi, ndërsa në vend të tij do të emërohet një tjetër kuadër, emri i të cilit ende nuk është bërë publik.
Ndryshime pritet edhe në Ministrinë e Drejtësisë, ku ministri aktual Igor Filkov do të largohet, dhe ky resor do të kalojë nga partia ZNAM në duart e VMRO-DPMNE-së.
Po ashtu, sipas burimeve, ministri i Mbrojtjes Vlado Misajlovski pritet të lërë detyrën për të marrë një post diplomatik si ambasador.
Pas këtyre ndryshimeve, ZNAM do të mbetet vetëm me një ministri në qeveri, ndërsa VLEN do të marrë në menaxhim Ministrinë e Arsimit, duke lënë Shëndetësinë në kompetencë të VMRO-DPMNE-së.
Ky rikonstruim shihet si përpjekje për të forcuar stabilitetin politik të koalicionit dhe për të balancuar ndikimin e forcave politike në ekzekutiv, në një moment kur vendi po përgatitet për reforma të rëndësishme në ekonomi, drejtësi dhe arsim.
