Rinia e VLEN-it pa ombrellë akoma pa Forum Rinor!

nga I.A

Shkup, 29 korrik – Koalicioni shqiptar VLEN në Maqedoninë e Veriut ka arritur një konsolidim të qëndrueshëm politik dhe elektoral. Tashmë janë pozicionuar si opsion që përfaqëson një pjesë të konsiderueshme të elektoratit shqiptar në vend, duke u vendosur qartësisht në skenën politike si alternativë ndaj strukturave të vjetra. Por në këtë rrugëtim të reformimit dhe riorganizimit politik, një segment i rëndësishëm mbetet i lënë në hije rinia e VLEN-it, shkruan Zhurnal.

Të rinjtë duhet të kërkojnë një përfaqësim më dinjitoz –

Të rinjtë që qëndrojnë pas VLEN-it janë të shumtë, energjikë, të përgatitur profesionalisht dhe me një dëshirë të sinqertë për të kontribuar. Shumë prej tyre janë angazhuar në fushata, janë aktivë në terren, në debat publik dhe në rrjetet sociale. Por, pavarësisht këtij aktivizmi, një strukturë bazë që do të duhej të përfaqësonte, drejtonte dhe organizonte këtë potencial të madh Forumi Rinor i VLEN-it ende nuk është themeluar zyrtarisht.

Mungesa e një forumi rinor nuk është vetëm një boshllëk teknik apo administrativ, por është tregues i një vakumi më të thellë në strategjinë politike të koalicionit VLEN dështimi për të ofruar një “shtëpi politike” për brezin e ri. Pa një ombrellë të strukturuar, rinia mbetet e shpërndarë, e paorganizuar, shpesh edhe e painformuar për orientimin dhe vizionin afatgjatë të koalicionit që ata e mbështesin.

Në këtë formë, të rinjtë e VLEN-it janë as andej e as këndej jo pjesë organike e një strukture vendimmarrëse dhe as të integruar në procese të mirëfillta politike ku mund të zhvillohen, të rriten dhe të ndikojnë. Kjo i lë ata në një pozitë të ndjeshme me shumë zell dhe idealizëm, por pa mjete për ta kanalizuar atë.

Është ironike që një koalicion që e pozicionon veten si alternativë moderne, pro-evropiane dhe reformuese, ende nuk ka arritur të institucionalizojë atë që është pikërisht fuqia e së ardhmes të rinjtë. Ndërkohë që partitë e mëdha shpesh kritikohen për formalizëm pa thelb, VLEN rrezikon të shkojë në drejtimin e kundërt me thelb, por pa strukturë. Dhe pa strukturë, çdo ideal ka rrezik të mbetet në terr.

Kush humbë më shumë nga kjo situatë?

Humbin të rinjtë sepse nuk kanë zë dhe përfaqësim të organizuar. Humbet VLEN sepse nuk arrin të ndërtojë një brez të dytë politik që do të mund të garantojë qëndrueshmëri ideologjike dhe organizative. Humbet politika shqiptare në tërësi sepse rinia që do duhej të ishte katalizator i ndryshimit, kthehet në spektator të një procesi që nuk e ndjen si të vetin.

Prandaj, në këtë drejtim duhet të ndërmerren hapat e menjëhershme për ta korrigjuar këtë gabim të vonuar. Formalizimi i menjëhershëm i Forumit Rinor me një statut të qartë, strukturë transparente dhe hapësira për zgjedhje të brendshme. Të vazhdohet me përfshirjen aktive të të rinjve në vendimmarrje dhe jo thjesht në logjistikën e fushatave.

Nuk mjafton vetëm kaq, nevojitet mbështetje përmes trajnimeve politike, sociale dhe institucionale, duke u dhënë mjetet për të qenë kontribuues realë në platformën e VLEN-it. Sigurimi i autonomisë së rinisë për të qenë sa më aktiv, objektiv e kritik. 

Kujtojmë që, VLEN ka bërë shumë hapa të rëndësishëm në drejtim të konsolidimit të vet politik. Por nuk mund të quhet plotësisht një alternativë e re, nëse nuk ndërton strukturën e vet rinore. Sepse një opozitë pa rini të organizuar është thjesht një variant i së shkuarës, jo garanci për të ardhmen. Në fund të ditës, të rinjtë e VLEN-it nuk kanë nevojë për ndihmë, kanë nevojë për hapësirë. Ata nuk kërkojnë vend të gatshëm në tavolinë, por të drejtën për ta ndërtuar atë vetë. Koha për të vepruar është tani përpara se idealizmi të shuhet dhe mllefi të zë vendin e tij. /Zhurnal.mk

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More