Shkup, 19 qershor – Mund të jetë herët për të gjykuar përfundimisht, por është koha e duhur për të kërkuar llogari. Shifrat janë premtuese, por mirëqenia matet me çfarë ndodh në shtëpinë e çdo qytetari, jo në konferencat për shtyp. Rritja ekonomike është vetëm kapitulli i parë duhet rritja sociale dhe barazia ekonomike të jenë promotorët që qarkullojnë dhe ndjehen në opinion, shkruan Zhurnal.
Nga konferencat në shtyp gjendja deri në shtëpitë e qytetarëve ka dallim –
Kryeministri, Hristijan Mickoski, deklaroi me krenari se Maqedonia e Veriut është një ndër vendet me rritjen më të lartë ekonomike në Evropë. Me një rritje të llogaritur në bruto produktin vendor që e rendit vendin në pozitën e katërt në nivel kontinental, mesazhi është i qartë po ndryshon klima ekonomike, po lëvizin treguesit dhe po krijohet një narrativë e re e stabilitetit dhe optimizmit ekonomik.
Por, ndërkohë që shifrat shërbejnë si bazë e rëndësishme për legjitimitetin politik, pyetja që ngrihet me të drejtë është sa po e ndiejnë qytetarët këtë përmirësim në jetën e tyre të përditshme?
Kryeministri vetë e pranoi: “Nuk duhet të mburremi me shifrat njerëzit ende nuk e ndiejnë përmirësimin.” Kjo vetëdije është e rëndësishme, sepse krijon një hapësirë për një debat më të sinqertë mbi atë që është arritur realisht dhe çfarë mbetet ende në terren si sfidë.
Në anën tjetër, ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, theksoi masat e qeverisë për të frenuar inflacionin dhe për të ruajtur standardin jetësor të qytetarëve, duke sjellë edhe të dhëna konkrete për efektin e tyre afatshkurtër një deflacion prej 1.3% në mars dhe ulje të çmimeve të ushqimeve për 3%. Kjo është një arritje që duhet vlerësuar, por dinamika e tregut tregoi se kjo ulje ishte e përkohshme në prill inflacioni u rrit sërish me 1.6%, duke dëshmuar se ndërhyrjet selektive, edhe pse të domosdoshme, nuk janë zgjidhje afatgjata.
Në këtë mes, qytetarët vazhdojnë të përballen me realitete kontradiktore, rritje ekonomike nga njëra anë dhe rritje çmimesh nga tjetra. Ky është një tension klasik i fazave të tranzicionit ekonomik ku mirëqenia nuk ecën gjithmonë paralelisht me rritjen e të ardhurave kombëtare.
Qeveria e re e udhëhequr nga VMRO-DMPNE dhe partnerët shqiptarë ka premtuar shumë krijimin e një ekonomie të qëndrueshme dhe të parashikueshme, vende të reja pune, përmirësim të kushteve për punëtorët, të rinjtë dhe pensionistët. Këto nuk janë premtime të reja në historinë politike të vendit, por ajo që i dallon është se vijnë në një moment kur qytetarët kanë më pak durim se kurrë për të pritur.
Nëse kjo rritje ekonomike do të shërbejë realisht si bazë për rritjen e mirëqenies, atëherë ajo duhet të përkthehet shpejt në përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët në paga më të larta, në çmime më të përballueshme, në shërbime publike më efikase dhe në më shumë mundësi për të rinjtë. Përndryshe, ajo mbetet vetëm një rritje statistikore, e izoluar nga përditshmëria.
Qeveria ndodhet para një sfide me dy koka: e para është qetësimi i pasojave të krizës së kaluar, që ka lënë plagë të thella në sektorin e shëndetësisë, arsimit dhe bujqësisë; dhe e dyta, ndërtimi i një modeli të qëndrueshëm zhvillimi, që nuk varet nga ndihmat e jashtme apo masat e përkohshme, por nga rritja e produktivitetit dhe punësimi i qëndrueshëm.
Kujtojmë që, mund të jetë herët për të gjykuar përfundimisht, por është koha e duhur për të kërkuar llogari. Shifrat janë premtuese, por mirëqenia matet me çfarë ndodh në shtëpinë e çdo qytetari, jo në konferencat për shtyp. Rritja ekonomike është vetëm kapitulli i parë rritja sociale dhe barazia ekonomike janë nevojat që duhet plotësuar. /Zhurnal.mk
