Shteti po plaket e integrimi s’po përtrihet!

nga I.A

Shkup, 8 shtator – Çdo vit që po kalon Maqedonia e Veriut po e feston pavarësinë e vet me ceremoni, flamuj e urime solemne. Por përtej festës, pyetja e madhe mbetet çfarë është bërë realisht në këto vite? Shteti po hyn në dekadën e katërt të ekzistencës, por shumë çështje thelbësore kanë mbetur pezull. Në vend që të shihet progres i plotë, shpesh duket sikur kemi më shumë kujtime të së shkuarës se sa vizion për të ardhmen. Pavarësia ishte fitore e madhe por ajo duhet të jetë vetëm fillimi. Sot sfida nuk është më mbijetesa, por integrimi dhe pikërisht këtu vendi ka ngecur, shkruan Zhurnal.

Pavarësia si festë apo si reflektim?

Në çdo përvjetor ngrihen pyetjet e njëjta a mjafton të festojmë apo duhet të shohim edhe pasqyrën e realitetit? Pavarësia nuk është vetëm flamur, himn dhe fjalime ajo është barazi, zhvillim, institucione funksionale dhe vizion i qartë për të ardhmen. Nëse këto mungojnë, atëherë pavarësia mbetet e papërmbushur.

Maqedonia e Veriut prej fillimit është ballafaquar me pyetjen thelbësore a është vërtet shtet multietnik, apo vetëm një shoqëri ku bashkësitë jetojnë pranë njëra tjetrës pa u integruar në institucione?

Shqiptarët si popull shtetformues kanë dhënë rezistencë të jashtëzakonshme për barazi. Ata janë përpjekur me mjete politike civile dhe kur ka qenë e domosdoshme edhe me luftë. Falë këtij rrugëtimi është arritur një nivel më i madh përfaqësimi, por debati mbi rolin dhe vendin e tyre në shtet vazhdon ende. Një shtet që nuk arrin të integrojë në mënyrë të barabartë popujt që e përbëjnë vështirë se mund të ecë i qetë drejt së ardhmes.

Nga NATO tek BE-ja periudhë me arritje dhe ngecje –

Në aspektin ndërkombëtar hyrja në NATO ishte një sukses i madh dhe një garanci sigurie. Por rruga drejt BE-së është historia e ngecjes së pafund. Edhe pse statusi i kandidatit është marrë prej kohësh, negociatat s’kanë nisur akoma.

Sepse brenda vendit reformat janë të ngadalta, korrupsioni i lartë dhe sundimi i ligjit shpesh mbetet në letër. Sepse jashtë, Bullgaria ka vendosur veto, duke kërkuar që Maqedonia e Veriut të pranojë interpretimet e saj historike dhe gjuhësore. Në këtë mënyrë, një proces që duhej të ishte urë drejt së ardhmes është kthyer në mur të lartë.

Zgjidhja e ofruar nga faktori ndërkombëtar është plani franko-gjerman ndryshime kushtetuese dhe përfshirje e bullgarëve në Kushtetutë. Por ky hap kërkon 80 vota në Kuvend, shumicë të cilën pushteti e ka të pamundur ta sigurojë ose thënë më butë e ka të vëshitrë. Pra, edhe kur jepet një rrugëdalje, politika e brendshme e mbyll derën.

Një vend me kaq shumë bashkësi etnike mund të ishte shembull i pasurisë kulturore. Por shpesh kjo pasuri shihet si kërcënim. Konfliktet verbale, diskriminimi apo ofendimet ndaj shqiptarëve nga huliganë të ndryshëm janë plagë që s’kanë pse të ekzistojnë më. Shqiptarët nuk janë mysafirë në këtë vend ata janë pjesë përbërëse, kontribuues të zhvillimit dhe garantues të stabilitetit.

Një shtet që ushqehet me përçarje nuk ecën përpara. Një shtet që i sheh të gjitha bashkësitë si të barabarta ndërton stabilitet afatgjatë. Rrugëtimi nga shpallja e pavarësisë e deri më sot ka pasur shumë kthesa nga krizat politike dhe konfliktet ndëretnike, deri tek marrëveshjet dhe kompromiset e mëdha. U arrit NATO, por BE-ja mbetet e largët. Ky është paradoksi shteti po feston vite por integrimi nuk po përparon. Pavarësia pa integrim mbetet e cunguar.

Prandaj, shteti po plaket e integrimi nuk po përtrihet. Çdo vit që kalon pa hapa konkretë drejt BE-së është vit i humbur për qytetarët. Është koha që politika të dalë nga qorrsokaku i interesave të ngushta dhe të mendojë për interesin kombëtar. Vetëm me reforma të vërteta, me respekt të diversitetit dhe me vendime të guximshme mund të hapet rruga drejt Evropës. Në të kundërt, do të kemi një shtet që vetëm feston pavarësinë, por nuk arrin ta përkthejë atë në progres dhe barazi. /Zhurnal.mk

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More