Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku e cila njëkohësisht drejton edhe Komisionin për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, e cilësoi si të dhunshëm reagimin e Policisë së Shtetit ndaj protestuesve të lëvizjes “Shqipëria bëhet”, të drejtuar nga Adriatik Lapaj.
Tabaku tha se protesta nuk është krim, por një e drejtë kushtetuese.
Sipas saj, “qytetarët që protestojnë paqësisht përpara Kryeministrisë nuk kanë kërcënuar askënd. Nuk kanë dhunuar askënd. Nuk kanë shkelur ligjin. Shteti ishte ai që reagoi me dhunë. Jo sepse u provokua, por sepse u tremb. Në Europë, policia mbron protestën. Këtu, policia u përdor kundër qytetarëve. Kjo nuk është Europë”.
Tabaku shtoi se “kur pushteti godet qytetarët që flasin, shteti ligjor pushon së ekzistuari. Ajo që mbetet është një regjim i dobët, i frikësuar, i kapur nga korrupsioni. Një pushtet që rreh qytetarët nuk është i fortë. Është i dëshpëruar”.
Reagimi i Tabakut vjen pas ngjarjeve të ndodhura një ditë më parë, kur efektivë të Policisë së Shtetit kanë ndërhyrë për largimin e çadrave të ngritura para Kryeministrisë nga kryetari i lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj dhe mbështetës të tij. Gjatë këtij veprimi, ata janë përplasur me punonjësit e policisë, duke kundërshtuar vendimin për largimin e çadrave.
Lëvizja “Shqipëria Bëhet” po proteston pa ndërprerje që prej datës 8 dhjetor përpara godinës së Kryeministrisë.
