Administrata Tatimore informon fermerët për procedurën e përfitimit të kompensimit përmes skemës së autofaturës.
Tatimet udhëzuan fermerët hap pas hapi mbi mënyrën e përfitimit të kompensimit përmes skemës së autofaturës, në përputhje me legjislacionin tatimor në fuqi. Tatimet shpjeguan në mënyrë të qartë kush përfiton nga skema, si funksionon kompensimi dhe cilat janë afatet që duhet të respektohen për të shmangur gabimet dhe penalitetet.
Sipas DPT-së, prodhues bujqësor konsiderohet fermeri që rrit kafshë ose prodhon produkte bujqësore dhe blegtorale, të cilat i shet në gjendje të papërpunuar. Skema e kompensimit zbatohet për prodhuesit bujqësorë për të cilët regjimi normal i TVSH-së krijon vështirësi, kur ata furnizojnë me produkte dhe shërbime bujqësore persona të tatueshëm të regjistruar për TVSH, që ushtrojnë aktivitet si grumbullues, përpunues të produkteve bujqësore apo njësi agroturizmi të certifikuara dhe që nuk përfitojnë nga kjo skemë.
Kompensimi realizohet përmes autofaturës, e cila lëshohet nga blerësi i regjistruar për TVSH në emër të prodhuesit bujqësor për mallrat ose shërbimet e blera. Vlera e faturës shërben për llogaritjen e kompensimit dhe në të duhet të shënohet NIPT-i i prodhuesit bujqësor, si dhe të gjithë elementët e tjerë të faturës tatimore, sipas parashikimeve ligjore.
Për të përfituar kompensimin, qarkullimi vjetor i fermerit nuk duhet të tejkalojë kufirin minimal të regjistrimit për TVSH, produktet ose shërbimet duhet të jenë rezultat i veprimtarisë së tij bujqësore dhe të shiten te persona të tatueshëm të regjistruar për TVSH, të cilët ushtrojnë aktivitet të përcaktuar me udhëzim të Ministrisë së Financave.
Administrata Tatimore bën me dije se fermeri duhet të jetë i pajisur me numër identifikimi (NIPT), pa pasur detyrim për deklarim periodik të TVSH-së, ndërsa norma e kompensimit është 10 për qind e vlerës totale të produkteve të furnizuara nga prodhuesit bujqësorë, të dokumentuara me fatura tatimore për një periudhë gjashtëmujore.
Kërkesa për kompensim paraqitet çdo gjashtë muaj dhe dorëzohet në administratën tatimore në mënyrë elektronike ose përmes shërbimit postar, e shoqëruar me kopje të faturave tatimore të lëshuara nga blerësi dhe numrin e llogarisë bankare të fermerit.
Për furnizimet e kryera nga janari deri në qershor të vitit 2026, kërkesa duhet të paraqitet deri më 31 dhjetor 2026, ndërsa për furnizimet e kryera nga korriku deri në dhjetor 2026, afati për aplikim është 30 qershor 2027.
Administrata Tatimore thekson se kompensimi kryhet brenda 30 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës dhe se kërkesat mund të refuzohen në rast se nuk respektohen afatet ose nuk plotësohen kushtet ligjore, duke u bërë thirrje fermerëve të informohen nga burime zyrtare për të shmangur gabimet dhe penalitetet.

