Sot nisi viti i ri shkollor 2025-2026 për rreth 345 mijë nxënës në mbarë vendin dhe rreth 31 mijë mësues.
Në një deklaratë për mediet drejtuesja e departamentit të Arsimit në Partinë Demokratike Lili Sula ngriti shqetësimin e braktisjes së shkollave dhe uljes së numrit të nxënësve.
Sula tha se “bankat e zbrazëta dhe klasat e mbyllura janë pasqyra më e qartë e braktisjes së vendit, britma të heshtura apelimi të fëmijëve të larguar”.
Sula u shpreh me tej se rreth 900 shkolla në mbarë vendin janë shndërruar në fantazma.
“Rreth 900 shkolla në mbarë vendin nuk janë më shkolla, por fantazma, dëshmi të heshtura të një kombi që po zbehet. Ndër to, disa shkolla të reja, me kosto marramendëse ndërtimi i kanë dhëna klasat për shërbime postare, shëndetësore etj. Ndërsa shkollat shuhen, në Astir, zonë me përqendrim të lartë të popullsisë prej 70 000 banorë ende nuk ka një institucion të arsimit publik”, tha Sula.
Sipas saj “vetëm në qarkun e Korçës arsimdashëse janë rreth 4000 nxënës më pak: 22 shkollave u është vënë dryni, dhjetëra klasave të para pa asnjë regjistrim sepse vogëlushët kanë marrë rrugën e emigrimit me prindërit”.
Ndër të tjera Sula nënvizoi se “viti shkollor i gjen mësuesit me pagën më të ulët krahasuar me mësuesit e vendeve të rajonit, ndërsa janë nën presionin konstant politik”.
Sipas saj, 33 % e mësuesve u diskriminuan nga paga e grupit dhe ende se kanë gjetur të drejtën.