Të martën paradite, presidenti kinez Xi Jinping zhvilloi bisedime në Pekin me homologun uruguaian Yamandu Orsi, që po zhvillon një vizitë shtetërore në Kinë.
Xi vuri në dukje se gjatë 38 vjetëve, Kina dhe Uruguai kanë ndjekur rrugën e respektit të ndërsjellë dhe bashkëpunimit me leverdi të përbashkët, pavarësisht ndryshimeve të situatës ndërkombëtare. Në kushtet e reja, të dyja palët duhet të thellojnë marrëdhëniet e partneritetit të gjithanshëm strategjik, që pema e miqësisë ndërmjet dy vendeve të lulëzojë.
Xi Jinping-u theksoi më tej që të dyja palët duhet të forcojnë harmonizimin e strategjive të zhvillimi dhe të thellojnë bashkëpunimin në tregti, financë, bujqësi, ndërtimin e infrastrukturës dhe informacion e komunikim, duke eksploruar potencialin për bashkëpunim në fushat e reja, si zhvillimi i gjelbër, ekonomia digjitale, inteligjenca artificiale dhe energjia e pastër, për të promovuar transformimin dhe përmirësimin e rritjes ekonomike.
Kina është e gatshme të forcojë solidaritetin dhe bashkëpunimin me Uruguain në Jugun Global, për të promovuar së bashku një botë shumëpolare të barabartë e të rregullt dhe një globalizim ekonomik përfshirës, duke punuar së bashku për zhvillim të përbashkët dhe duke dhënë kontribute më të mëdha për ndërtimin e një bashkësie me të ardhme të përbashkët për njerëzimin, tha kreu i shtetit i Kinës. Ai shtoi që Kina i ka kushtuar gjithmonë rëndësi të madhe marrëdhënieve me Amerikën Latine dhe i mbështet vendet e Amerikës Latine e të Karaibeve në mbrojtjen e sovranitetit, sigurisë dhe interesave të tyre të zhvillimit.
Nga ana e tij, presidenti uruguaian Yamandu Orsi shprehu shpresën që Plani i 15-të Pesëvjeçar do t’i sjellë mundësi të mëdha botës. Sipas tij, Kina është partnere e rëndësishme e Uruguait dhe zhvillimi i marrëdhënieve me Kinën është politika shtetërore e Uruguait. Pala uruguaiane zbaton parimin e “një Kine”, mbështet politikën “Një vend, dy sisteme” dhe shpreson të thellojë marrëdhëniet e partneritetit të gjithanshëm strategjik me palën kineze, duke e ngritur bashkëpunimin dypalësh në nivel më të lartë. Të dyja palët duhet të forcojnë ndërthurjen e strategjive të zhvillimit dhe të nxitin bashkëpunimin në fusha të tilla si tregtia, investimet, shkenca e teknologjia, ulja e varfërisë, ekonomia e gjelbër dhe ekonomia digjitale, si edhe të promovojnë shkëmbimet njerëzore në fusha si arsimi, sporti e turizmi, duke i dhënë një vrull më të fortë marrëdhënieve dypalëshe dhe duke sjellë më shumë përfitime për popujt e të dy vendeve.
Pas bisedimeve, të dy liderët morën pjesë së bashku në nënshkrimin e më shumë se 10 dokumenteve të bashkëpunimit në fusha të tilla si promovimi i investimeve dhe tregtia.
Para bisedimeve, Xi mbajti një ceremoni mirëseardhjeje për Orsin në Sallën Veriore të Pallatit të Madh të Popullit.
Gjatë vizitës, të dyja palët publikuan “Deklaratën e përbashkët midis Republikës Popullore të Kinës dhe Republikës Lindore të Uruguait mbi thellimin e marrëdhënieve të partneritetit të gjithanshëm strategjik midis Kinës e Uruguait.”

