1.391 të dyshuar i shpëtuan burgut vitin e kaluar, disa paguan para, të tjerë kryen punë në dobi të shoqërisë

Nga Xh M
704 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 17 qershor Zhurnal.mk – Prokuroritë në mbarë vendin çdo vit trajtojnë mijëra kallëzime penale, por një pjesë e madhe e tyre nuk përfundojnë në gjykatë, pasi lëndët mbyllen pa aktakuzë.

Gjatë vitit të kaluar, prokuroritë kanë pasur në procedurë gjithsej 31.067 persona të rritur të denoncuar, ndërsa kanë marrë vendime për 20.247 prej tyre. Nga këta, 8.554 persona, ose 42 për qind e të denoncuarve, i kanë shpëtuar ndjekjes penale pasi prokurorët e kanë ndërprerë procedurën.

Numri më i madh i kallëzimeve është hedhur poshtë sipas nenit 288 të Kodit të Procedurës Penale, pasi është konstatuar se vepra nuk ndiqet sipas detyrës zyrtare, ka parashkruar afati i ndjekjes ose është zbatuar amnisti apo falje.

Veçanërisht interesante janë rastet kur prokurorët kanë vendosur të mos nisin ndjekje penale përmes procedurës së shtyrjes së ndjekjes ose zbatimit të parimit të oportunitetit.

Parimi i oportunitetit i jep të drejtë prokurorit publik që, në raste të caktuara të parashikuara me ligj, të mos ngrejë aktakuzë kundër të dyshuarit, duke vlerësuar se qëllimi i dënimit mund të arrihet edhe pa zhvillimin e procedurës penale. Ky parim zbatohet vetëm në raste të veçanta dhe për vepra për të cilat nuk parashihet dënim me burg më i lartë se tre vjet.

Megjithatë, personat e liruar nga ndjekja penale kanë pasur detyrime të caktuara, si kryerja e punës në dobi të komunitetit, pagesa në buxhetin e shtetit ose për qëllime humanitare, si dhe kompensimi i dëmit të shkaktuar.

Në këtë mënyrë, 1.391 persona i kanë shpëtuar burgut. Një pjesë e tyre kanë paguar gjithsej rreth 300.000 euro në buxhetin e shtetit dhe 12.300 euro për organizata humanitare.

Ndërkaq, edhe 188 qytetarë të tjerë janë liruar nga ndjekja penale sipas nenit 44 të Kodit të Procedurës Penale. Në këtë kategori përfshihen të dyshuar që kanë shprehur pendim të thellë, kanë kompensuar dëmin e shkaktuar ose anëtarë të grupeve kriminale që kanë bashkëpunuar me prokurorinë dhe kanë ndihmuar në zbardhjen e veprimtarisë kriminale.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër