Shkup, 8 dhjetor – Nga 25 nëntori deri më 10 dhjetor zhvillohen “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, një fushatë globale që fillon në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave dhe përfundon në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut. Gjatë kësaj periudhe, insitucionet, politikanët dhe organizatat flasin më intensivisht për këtë problem shoqëror, që nuk merr vëmendjen e duhur gjatë pjesës tjetër të vitit.
Në shenjë sensibilizimi, Godina e insitucionit ligjvënës u ndriçua portokalli, ndërsa deputetet nga Komisionit për Mundësi të Barabarta të Femrave dhe Meshkujve, zhvilluan fushatë duke shpërndarë fletushka me informacione sensibilizuese, por krahas fushatave dhe aktiviteteve sensibilizuese, a janë numrat alarmant të dhunës gjinore, një thirrje bërtitëse për efikasitet më të madh të sistemit për t’i mbrojtur gratë?
Në Maqedoninë e Veriut çdo vit denoncohen mbi 1000 vepra penale të dhunës në familje. Sipas statistikave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, vetëm gjatë vitit paraprak, 911 gra kanë qenë viktima vetëm të dhunës në familje.
“Nga gjithësej 1087 raste të veprës penale, dhunë në familje, në 1018 raste ushtruesi i dhunues është mashkull. Ndërsa në pesë vitet e fundit, janë denoncuar 5334 raste, ku në 4998 prej tyre ushtruesi i dhunës është mashkull, ndërsa viktima të dhunës në familje janë 4466 gra.”
Psikologia Azra Milaimi Rexhepi, operatore në SOS linjën për mbrojtje të viktimave të dhunës, thotë se çdo ditë marrin raportime nga gra të cilat përballen me forma të ndyshme të dhunës.
“Përveç dhunës fizike dhe psikologjike, kemi raste të dhunës ekonomike, kontrollit të tepruar, izolimit, kërcënimeve si dhe raste të shunës seksuale, të cilat fatkeqësisht raportohen më rrallë për shkak të frikës dhe stigmatizimit. Shumë gra na kontaktojnë për herë të parë pasi kanë duruar dhunë për një periudhë të gjatë, dhe shpesh janë të frikësuara dhe të pasigurta për hapat e ardhëshëm që do t’i ndërmarrin.” – tha Azra Milaimi Rexhepi, Psikologe, operatore në SOS linjën për viktima të dhunës pranë KNBG.
Dhuna psikike është forma më e shprehur e dhunës sipas statistikave të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Vetëm në 5 vitet e fundit, ka më shumë se 3200 ankesa në vit, ndërsa në vitin 2023 ka më shumë se 4000 raste.
Raporti i revizionit shtetëror i publikuar në gusht të këtij viti, që tregon efikasitet të pamjaftueshëm të sistemit për mbrojtjen e grave, viktima të dhunës, thekson se sfidë për sistemin mbetet edhe kriminalizimi i pamjaftueshëm i dhunës psikologjike.
“Dhuna psiqike shumë shpesh përshkallëzohet në dhunë fizike ose seksuale, kjo krijon terrenin ku viktima humbet vetbesimin, ndjen aftësi të kufizuara për të vepruar, si dhe agresori në këtë rast fiton kontroll të plotë ndaj viktimës. Në praktikën tonë shumica e rasteve të dhunës fizike kanë pasur histori të gjatë dhune psiqike që ka kaluar pa u trajtuar.” – deklaroi Azra Milaimi Rexhepi.
Në vend ka mangësi edhe të mekanizmave të tjerë relevant në sigurimin e mbrotjes së grave viktima të dhunës, si strehimoret dhe qendrat e këshillimit. Numri dhe shpërndarja e strehimoreve dhe qendrave të këshillimit për viktimat e dhunës me bazë gjinore nuk përputhen me standardet e Konventës së Këshillit të Evropës për Parandalimin dhe Luftën kundër Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje.
Sipas raportit të Entit për Revizion, në përputhje me numrin e banorëve, në vend duhet të ketë 184 shtretër në strehimore, por janë vendosur vetëm 67 (37%), apo dy herë më pak. Nga 19 këshillimoret e nevojshme, janë themeluar vetëm 11.
Shpërndarja territoriale është e pabarabartë. Në rajonin Juglindor dhe në atë Verilindor nuk ka asnjë shtrat të vetem në strehimoret e Qendrave për Punë Sociale, ndërsa organizatat joqeveritare ofrojnë strehimore vetëm në rajonin e Shkupit dhe në atë Juglindor.
Gjithashtu, në rajonin Juglindor nuk është themeluar asnjë qendër këshillimi, edhe pse është paraparë një.
Sipas operatores së SOS Linjës pranë Këshillit Nacional për Barazi Gjinore, problemi është shumë dimensional dhe ka boshllëqe në sistemin insitucinal.
“Kemi procedura të ngadalta, mungesë koordinimi mes policisë, qendrave sociale, shëndetësisë dhe gjyqësorit. Së dyti, ende mungon trajtimi i duhur i dhunës psiqike e cila shpesh shihet si më pak serioze se të tjerat, edhe pse efektet e saj janë poaq në mos më shumë të dëmshme. Së treti normat shoqërore vazhdojnë të tolerojnë modele të pabarazisë gjinore, ku dhuna shihet si çështje private dhe jo si krim, pra viktimat përballen me frikën tuprin dhe mosbesimin në sistem, ndërsa agresorët siç e bimë në shtetin tonë mbeten shpesh të pandëshkuar dhe kjo na qon drejtë numrave alarmant të cilët reflektojnë jo vetëm realitetin e dhunës por edhe sfidat sistemore në adresimin e së njejtës.” – u shpreh Azra Milaimi Rexhepi.
SOS linja për grate viktima të dhunës funksionon 24 orë në 7 ditët e javës, pa pagesë në numrin 141700, ndërsa Këshillimi Nacional për Barazi Gjinore, ofron edhe këshillimoren me shërbimet falas me psikolog, punëtor social dhe jurist.

