27 vjet nga transformimi i UÇK-së

Nga Xh M
741 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 21 qershor Zhurnal.mk – 27 vjet pas vendimit historik për transformimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, procesi i demilitarizimit dhe themelimi i Trupave Mbrojtëse të Kosovës mbeten ndër momentet më të rëndësishme në konsolidimin e institucioneve të sigurisë në vend.

Ky tranzicion, i realizuar nën mbikëqyrjen ndërkombëtare pas përfundimit të luftës, krijoi bazat për ndërtimin e kapaciteteve vendore të sigurisë dhe mbrojtjes, duke kulmuar vite më vonë me themelimin dhe zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, si institucioni kryesor në mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit.

Njëzet e shtatë vjet më parë, në malet e Berishës, udhëheqja e Kosovës mori vendimin për transformimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke hapur një kapitull të ri në rrugën e ndërtimit të institucioneve të pasluftës.

Marrëveshja për transformimin e UÇK-së parashihte faza të ndryshme, përfshirë dorëzimin e armëve, mbajtjen e përkohshme të uniformave, si dhe integrimin e një pjese të ish-pjesëtarëve të saj në polici, administratë publike dhe institucione të tjera.

Ky proces u zhvillua në një periudhë prej 90 ditësh, pas së cilës u përmbyll demilitarizimi i plotë i UÇK-së.

Më 20 shtator 1999 u nënshkrua marrëveshja për themelimin e Trupave Mbrojtëse të Kosovës-TMK, një strukturë e konceptuar jo si forcë ushtarake, por si organizatë civile emergjente për reagim ndaj fatkeqësive natyrore dhe situatave të tjera emergjente.

Marrëveshja u nënshkrua nga Hashim Thaçi, në cilësinë e komandantit politik të UÇK-së, dhe Agim Çeku, si Shef i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, ndërsa u pranua nga gjenerali britanik, Mike Jackson, komandanti i parë i KFOR-it në Kosovë.

Këtë e quan moment historik dhe të rëndësishëm njëri nga personat që ishte i përfshirë në proces, gjenerali Kadri Kastrati.

E tani pas më shumë se 2 dekadash, Kastrati flet për Forcën e Sigurisë së Kosovës së tanishme, të cilën e quan krenari të vendit.

Transformimi i UÇK-së dhe krijimi i TMK-së shihen si një ndër etapat më të rëndësishme në procesin e ndërtimit të kapaciteteve të sigurisë në Kosovë, ku TMK-ja u konsiderua nga shumë ish-pjesëtarë si vazhdimësi e përpjekjeve për krijimin e një force mbrojtëse vendore, vizion që u realizua vite më vonë me formimin dhe zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Sot, Forca e Sigurisë së Kosovës përfaqëson institucionin kryesor të mbrojtjes së vendit, me mision për ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial, si dhe me synimin për të kontribuar në operacione ndërkombëtare paqeruajtëse krah partnerëve të saj ndërkombëtarë./RTK

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër