35-vjetori i Pavarësisë së Ukrainës, Ambasadori Shkurov: Rrugëtim që zgjodhi populli ukrainas

Nga D V
450 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 24 gusht, Zhurnal.mk – Ambasadori i Ukrainës në Shqipëri Volodymyr Shkurov ka përcjellë një mesazh me rastin e 35-vjetorit të Pavarësisë së Ukrainës.

Në mesazhin e tij Shkurov shkruan se, prej pothuajse pesë vitesh, Ukraina po e pohon pavarësinë e saj me armë në dorë.

“Qëndresa e ukrainasve bëhet e mundur edhe falë mbështetjes e solidaritetit të popullit shqiptar, Qeverisë së Shqipërisë, vendeve të Bashkimit Evropian, Britanisë së Madhe, SHBA-së dhe gjithë botës demokratike”, thotë ai mes të tjerash.

Shkrimi i plotë i ambasadorit Volodymyr Shkurov    

Historia njeh mjaft shtete që kanë shpallur pavarësinë. Por vetëm disa brezave u bie për pjesë nderi, e njëkohësisht sprova, për ta mbrojtur e për ta konsoliduar atë. Ukrainasit e sotëm i përkasin pikërisht brezave të tilla.

Kur më 24 gusht 1991, Rada Supreme e Ukrainës (Verhovna Rada) miratoi Aktin e Shpalljes së Pavarësisë (këtu është e rëndësishme të kuptohet se Ukraina nuk lindi në vitin 1991. Atë vit ajo riktheu pavarësinë e saj pas shekujve të tërë përballjesh e pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik), pak kush mund ta parashikonte se, tre dekada më pas, populli ukrainas do të detyrohej sërish ta mbronte këtë të drejtë me armë në dorë.

Megjithatë, pikërisht këtu qëndron mësimi kryesor i historisë ukrainase: pavarësia nuk është diçka e mirëqenë. Ajo është një rrugëtim që vazhdon, një rrugë e shtruar me sakrificën e një populli për lirinë e vet.

1991 – Ukraina bëri një zgjedhje historike.

Më 24 gusht 1991, Rada Supreme e Ukrainës miratoi Aktin e Shpalljes së Pavarësisë, ndërsa më 1 dhjetor kjo zgjedhje u konfirmua në një referendum mbarëpopullor, ku mbi 90% e qytetarëve votuan “pro” pavarësisë.

Kjo nuk ishte thjesht një shkëputje nga Bashkimi Sovjetik, por një rikthim i Ukrainës tek tradita politike evropiane dhe rimëkëmbje e shtetësisë së vet. Njëkohësisht, pavarësia nuk shënoi fundin e historisë, por fillimin e një përgjegjësie të madhe: ndërtimin e një shteti modern e demokratik.

Ukraina zgjodhi lirinë.

1991–2013 – Konsolidimi i shtetit dhe formësimi i përzgjedhjes evropiane.

Dekadat e para të pavarësisë ishin mbi të gjitha një periudhë reformash jo të lehta, sfidash ekonomike dhe ngritjeje të institucioneve shtetërore. Ukraina krijoi Forcat e veta të Armatosura, shërbimin diplomatik, monedhën kombëtare dhe sistemin e administrimit shtetëror. Njëkohësisht, pikërisht përgjatë kësaj periudhe u formësua edhe orientimi kryesor i politikës së jashtme të Ukrainës: integrimi në hapësirën demokratike evropiane. Revolucioni Portokalli i vitit 2004 dhe ngjarjet që e paraprijnë dëshmuan aspiratën e shoqërisë ukrainase për të jetuar në një shtet ku pushteti mbështetet mbi vullnetin e qytetarëve, sundimin e ligjit dhe respektin për dinjitetin njerëzor. Ukraina po mësonte të ishte e lirë.

2014 – Pavarësia mori një domethënie të re.

Revolucioni i Dinjitetit dëshmoi se ukrainasit ishin të gatshëm të mbronin zgjedhjen e tyre qytetëruese. Kur rusia iu përgjigj kësaj zgjedhjeje me pushtimin e Krimës dhe ndezjen e luftës në Donbas, u bë e qartë se lufta nuk po bëhej thjesht për territore, por për të drejtën e Ukrainës për të përcaktuar vetë të ardhmen e saj. Pikërisht atëherë, pavarësia pushoi së qeni thjesht një koncept politiko-juridik. Ajo u kthye në një çështje të vetë ekzistencës kombëtare. Ukraina tregoi se liria nuk shitet.

2022 e deri më sot,  lufta për liri u bë një luftë jo vetëm për Ukrainën, por edhe për të ardhmen e Evropës. Pushtimi rus me shkallë të plotë nuk ndryshoi vetëm Ukrainën, por të gjithë Evropën e përtej saj. Populli ukrainas i dëshmoi botës se liria ka një çmim dhe se vlerat demokratike duhen mbrojtur. Sot Ukraina nuk po mbron vetëm shtetësinë e vet. Ajo po mbron parimet e Kartës së OKB-së, të drejtën ndërkombëtare dhe të drejtën e çdo shteti të pavarur për të zgjedhur vetë rrugën e vet të zhvillimit. Pikërisht për këtë arsye, mbështetja për Ukrainën është kthyer në një çështje jo vetëm solidariteti, por edhe mbrojtjeje të rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla.

Ukraina tregoi se liria mund dhe duhet të mbrohet, madje edhe kur të duhet të përballesh në luftë me një armik dukshëm më të madh në forcë e në burime.

E ardhmja – rrugëtimi vazhdon. Pavarësisht të gjitha përpjekjeve heroike të popullit ukrainas, lufta e përgjakshme me shkallë të plotë e nisur nga rusia po vazhdon prej më shumë se katër vitesh. Forcat e Armatosura heroike të Ukrainës po mbrojnë popullin dhe tokën e tyre me çmimin e jetës. Meqenëse nuk po arrin dot rezultate të dukshme në vijën e frontit, rusia po i rëndon sulme mbi qytetet dhe fshatrat ukrainase. Për çdo natë, sulmet ruse me raketa e dronë po u marrin jetën njerëzve paqësorë, po shkaktojnë vdekje e plagosje mes popullatës civile, si dhe po sjellin shkatërrime masive të ndërtesave të banimit, spitaleve, shkollave, objekteve të energjetikës e të infrastrukturës tjetër kritike civile, objekteve të trashëgimisë kulturore, duke shkatërruar edhe sistemet ekologjike të rajoneve të tëra.

Sulmet e qëllimshme mbi objektet civile dhe popullatën janë pjesë e terrorit ushtarak që rusia zbaton në mënyrë sistematike kundër Ukrainës, duke shkelur rëndë normat e së drejtës ndërkombëtare dhe parimet bazë të humanizmit. Deri më tani njihen më shumë se 20 mijë raste të konfirmuara të dëbimit apo zhvendosjes me forcë të fëmijëve ukrainas.

Sipas Raportit të Misionit Vëzhgues të OKB-së për të Drejtat e Njeriut në Ukrainë, vetëm gjatë muajit korrik 2026 kanë humbur jetën 437 civilë dhe kanë mbetur të plagosur 2610 të tjerë. Kjo shifër e viktimave mes popullsisë civile është më e larta e regjistruar që nga maji i vitit 2022.

Krimet kundër njerëzimit, kundër fëmijëve dhe popullatës civile, për fat të keq, janë normë për pushtuesit rusë. E megjithatë, Ukraina mbetet një nga liderët e sigurisë në botë dhe një garantues i besueshëm i sigurisë fizike. Siç ka deklaruar Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy: “Është pikërisht Ukraina ajo që dëshiron paqen. Është pikërisht Ukraina ajo që për asnjë ditë të vetme nuk e ka dashur këtë luftë.”

Një vit para luftës, në shkurt të vitit 2021, pata nderin të hapja Ambasadën e Ukrainës në Republikën e Shqipërisë.

Për herë të fundit e festuam në Tiranë 30-vjetorin e një Ukraine të pavarur e paqësore në gusht të vitit 2021. Prej pothuajse pesë vitesh, Ukraina po e pohon pavarësinë e saj me armë në dorë. Qëndresa e ukrainasve bëhet e mundur edhe falë mbështetjes e solidaritetit të popullit shqiptar, Qeverisë së Shqipërisë, vendeve të Bashkimit Evropian, Britanisë së Madhe, SHBA-së dhe gjithë botës demokratike. U shpreh sërish mirënjohjen time më të sincertë, mirënjohje Kryeministrit Edi Rama, Presidentit Bajram Begaj, Kryetarit të Kuvendit Niko Peleshi, Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme Ferit Hoxha, anëtarëve të qeverisë dhe të gjithë atyre që u angazhuan, për vullnetin e tyre për të mbështetur Ukrainën në luftën e saj heroike kundër agresorit rus. Eskalimi i sotëm që po ushtron armiku në prapavijë, duke shkatërruar infrastrukturën tonë civile, nuk është asgjë tjetër veçse një dëshirë kriminale për të thyer vullnetin e popullit tonë. Ne po përgatitemi për sprova edhe më të rënda, po përgatitemi për sfidat e egra të një dimri pa energji elektrike, pa ngrohje e pa ujë. Është shumë e vështirë ta perceptosh, por realiteti është vërtet i ashprë dhe jashtë çdo kategorie e përmase qytetëruese të shekullit XXI. Ukraina vazhdon të luftojë, të punojë e të krijojë. Përpara –  rindërtimi i vendit, rikthimi i njerëzve tanë në shtëpi, reformat dhe anëtarësimi me të drejta të plota i Ukrainës në Bashkimin Evropian. Kjo është zgjedhja e popullit tonë, kjo është ajo ku ai beson, me gjithë dhimbjen e humbjeve. Pavarësia nuk është një gjendje statike, por një proces i vazhdueshëm i forcimit të shtetit, zhvillimit të demokracisë dhe përgjegjësisë ndaj qytetarëve tanë. Tridhjetë e pesë vjet pas rimëkëmbjes së pavarësisë, Ukraina i mbetet besnike zgjedhjes së bërë në vitin 1991. Përballë të gjitha sprovave, ajo vazhdon rrugën e saj — rrugën e lirisë, të integrimit evropian dhe të një paqjeje të bazuar mbi drejtësinë, sepse Ukraina është e bindur se po garanton lirinë për brezat e ardhshëm.

Tridhjetë e pesë vjet pas rimëkëmbjes së pavarësisë, ne e kuptojmë më mirë se kurrë çmimin e saj të vërtetë. Ajo nuk matet vetëm me simbole shtetërore apo me njohje ndërkombëtare. Ajo matet me dinjitetin njerëzor, me guximin e atyre që mbrojnë vendin, me qëndresën e shoqërisë dhe me besimin tek e ardhmja. Pikërisht për këtë arsye, rrugëtimin e pavarësisë së Ukrainës e zgjodhi vetë populli ukrainas. Dhe unë jam i bindur se kjo rrugë çon drejt fitores, paqes së drejtë dhe vendit të merituar të Ukrainës në Evropën e bashkuar.

Slava Ukraini! (Lavdi Ukrainës!)

Herojam slava! (Lavdi heronjve!)

Volodymyr SHKUROV,

Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe i Fuqiplotë i Ukrainës në Republikën e Shqipërisë (2020–2026)

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër