78-vjeçari me origjinë nga Maqedonia humb jetën në aksident, lë pas bashkëshorten dhe tre fëmijë

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Trevizo, 8 nëntor Zhurnal.mk – Një shtetas 78-vjeçar me origjinë nga Maqedonia, Ismail Asanoski, ka humbur jetën tragjikisht në një aksident të rëndë trafiku në Itali, pas përplasjes së drejtpërdrejtë të veturës së tij me një kamion të ngarkuar me zhavorr.

Aksidenti ndodhi më 29 tetor, rreth orës 15:40, në rrugën Stradonelli, në qytetin Susegana, në provincën e Trevizos.

Asanoski, i cili jetonte në Conegliano, po drejtonte një veturë „Škoda Kodiaq“, kur për arsye ende të panjohura kaloi në korsinë e kundërt dhe u përplas me kamionin.

Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se drejtuesit mund t’i jetë përkeqësuar papritur gjendja shëndetësore gjatë vozitjes, por ky version ende nuk është konfirmuar zyrtarisht.

Përplasja ishte jashtëzakonisht e fuqishme. Pavarësisht ndërhyrjes së ekipeve të shpëtimit, ndihmës së shpejtë dhe helikopterit mjekësor, mjekët nuk arritën t’ia shpëtonin jetën.

Shoferi 61-vjeçar i kamionit nuk pësoi lëndime.

Lë pas bashkëshorten dhe tre fëmijë

Ismail Asanoski ka lënë pas bashkëshorten dhe tre fëmijë, të cilët merren me ndërtimtari dhe janë pronarë të kompanisë „Big Costruzioni“, në Ponte della Priula.

Vdekja e tij ka shkaktuar dhimbje të madhe edhe në komunitetin lokal. Për të është shprehur me fjalë prekëse edhe imami i Qendrës Kulturore Islame „Emanet“ në Susegana, të cilën Asanoski e frekuentonte rregullisht.

Ai e kujtoi si njeri të mirë, bujar dhe gjithmonë të gatshëm për të ndihmuar të tjerët, duke theksuar se së bashku me djemtë e tij kishte ndihmuar shumë njerëz në situata të vështira.

Policia italiane po vazhdon hetimet për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e sakta të aksidentit.

artikuj të ndërlidhura