Kronika e një sistemi të sëmurë shëndetësorë, qyteti mbi 100 mijë banorë mbetet pa anesteziolog!

nga I.A

Shkup, 9 qershor – Spitali i Kumanovës, që mbulon një rrethinë të gjërë me mbi 100 mijë banorë, aktualisht funksionon pa asnjë anesteziolog. Kjo nuk është thjesht një mungesë personeli, por një simbol tronditës i një sistemi shëndetësor në kolaps. Mungesa e një figure kyçe në mjekësinë spitalore, pa të cilën ndërhyrjet kirurgjikale janë të pamundura apo me rrezik të lartë, nuk është më lajm lokal është alarm nacional që dëshmon qartë dështimin e sistemit shëndetësor në vend që për dekada assesi të kurohet, shkruan Zhurnal.

Shëndetësia në hall të madh, pacientë viktimë e keqmeanxhimit –

Shëndetësia në Maqedoninë e Veriut, prej vitesh, vuan nga një kombinim toksik mungesë investimesh, kuadro të pamjaftueshme, korrupsion i institucionalizuar dhe ikje e vazhdueshme e mjekëve jashtë vendit. Rasti i Kumanovës është vetëm maja e ajsbergut. Në shumë qytete të tjera, klinikat dhe spitalet periferike funksionojnë me staf të reduktuar, mungesë aparaturash, kushte të papërshtatshme higjienike dhe pritje të pafundme për ekzaminime elementare.

Kjo situatë nuk ka ardhur si pasojë e ndonjë krize të menjëhershme. Është rezultat i neglizhencës së qëndrueshme. Për vite me radhë, sistemi shëndetësor publik është trajtuar si sektor dytësor në prioritetet qeveritare. Reforma të shpallura, por kurrë të realizuara. Premtime për rritje të pagave, por pa përmirësim real të kushteve të punës, emërime politike në menaxhmentet spitalore në vend të profesionalizmit janë vetëm disa nga faktorët që e kanë çuar sistemin në këtë pikë.

Është e papranueshme që në një shtet që aspiron integrimin evropian, qytetarët të mos kenë qasje të sigurt në shërbime bazike shëndetësore. Mungesa e anesteziologëve është një simptomë e qartë se nuk kemi më të bëjmë me mungesë kapacitetesh të përkohshme, por me një krizë strukturore. Kur një qytet me dhjetëra mijëra banorë mbetet pa mundësinë për të kryer operacione jetike, pyetja që lind nuk është “ku janë mjekët?”, por “ku është shteti?”

Në vend që të ofrohet transparencë dhe zgjidhje, shpesh institucionet përgjigjen me heshtje ose me mohime boshe. Përgjegjësia për krizën nuk mund të mbulohet me deklarata që relativizojnë problemet. Kur një drejtues spitali nuk jep llogari, dhe kur strukturat përgjegjëse nuk reagojnë, humb jo vetëm besimi i qytetarëve në sistemin shëndetësor humb edhe vetë legjitimiteti i institucioneve.

Ky është momenti për të dalë nga retorika dhe për të vepruar. Duhet një ristrukturim i thellë i sistemit shëndetësor, nga modelet e financimit, te trajtimi i dinjitetshëm i personelit, nga riorganizimi i menaxhimit spitalor, te ofrimi i shërbimeve të barabarta për të gjithë qytetarët, pavarësisht nëse jetojnë në kryeqytet apo në periferitë e harruara të vendit.

Sepse në fund të fundit, një sistem që nuk garanton të drejtën themelore për kujdes shëndetësor, është vetë një sistem i sëmurë dhe pa trajtim urgjent, pasojat do të jenë edhe më të rënda se mungesa e një anesteziologu. /Zhurnal.mk

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More