Shkopinj italianë të shijshëm, që do t’i japin çdo feste një aromë dhe shije të veçantë
Këta shkopinj të kripur në stil italian janë perfektë për t’u shërbyer me antipasta, djathëra, proshutë apo një gotë verë të bardhë.
Shija e tyre e butë dhe aroma e vajit të ullirit i bëjnë ideale si meze ose shoqërues në çdo tryezë.
Përbërësit:
▪ 375 g miell i bardhë
▪ 160 ml ujë
▪ 4 lugë vaj ulliri ekstra të virgjër
▪ vaj ulliri shtesë për lyerje
▪ 1 lugë e vogël mjaltë
▪ 1 lugë e vogël kripë (e rrafshët)
▪ 1 lugë gjelle maja e thatë (e rrafshët)
▪ grimca grizi për spërkatje

Përgatitja:
Me mikser për brumë përzieni gjysmën e miellit, ujin (duke ndarë pak për majanë), vajin, mjaltin dhe kripën. Brumi duhet të dalë me strukturë kremoze.
Tretni majanë në pak ujë të vakët dhe shtojeni në përzierje. Shtoni gradualisht pjesën tjetër të miellit dhe përzieni për rreth 20 minuta. Mbulojeni brumin me një pecetë të pastër kuzhine dhe lëreni të qëndrojë për 20 minuta.
Në sipërfaqen e punës shtroni një letër plastike dhe lyeni me vaj ulliri ekstra të virgjër. Vendoseni brumin mbi të, shtrijeni në madhësinë e tepsisë, paloseni përgjysmë, lyeni përsëri me vaj ulliri dhe mbulojeni lehtë me folien plastike. Lëreni të fryhet për rreth një orë.
Ngrohni furrën në 200°C dhe shtroni letër pjekjeje në tepsi. Brumi për shkopinjtë është shumë i butë, prandaj është mirë që tepsia të vendoset pranë vendit të punës.
Spërkateni sipërfaqen me grimca grizi. Priteni brumin në shirita të ngushtë dhe secilin rrotullojeni lehtë mbi griz, pastaj shtrijeni me gishta përgjatë gjatësisë së tepsisë.
Piqni për rreth 15 minuta, derisa të marrin ngjyrë të artë. Nxirrini dhe lërini të ftohen mbi një rrjetë metalike.
Ju bëfshin mirë.
