Shkup, 4 dhjetor – Sot, Ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska, zhvilloi takim zyrtar me homologun e saj nga Republika e Sllovakisë, Ladisllav Kamenicki. Në këtë takim, të dy ministrat shkëmbyen mendime mbi çështjet me interes të përbashkët dhe vlerësuan se ekziston potencial i gjerë për promovimin e mëtejshëm të bashkëpunimit.
“Sot realizova takim shumë të frytshëm dhe thelbësor me kolegun tim, ministrin e Financave të Sllovakisë, Ladisllav Kamenicki, në vizitën e tij të parë zyrtare në Maqedoni. Maqedonia dhe Sllovakia janë vende mike që ndajnë vizion të përbashkët – rajon të fuqishëm dhe të qëndrueshëm, të integruar në Bashkimin Evropian, me tregje të hapura, institucione të zhvilluara dhe ekonomi të qëndrueshme”, tha ministrja pas takimit me ministrin sllovak.
Ajo shtoi se Maqedonia ka agjendë të qartë dhe ambicioze për përforcimin e financave publike, disiplinën fiskale, përmirësimin e mjedisit të biznesit dhe zbatimin e projekteve që sjellin rritje direkte të ekonomisë, që është gjithashtu pjesë e rekomandimeve në raportin e fundit të Komisionit Evropian. Gjatë takimit ajo falënderoi për përkrahjen që po jep Sllovakia për vendin tonë në financat publike, luftën kundër shmangies së tatimeve dhe transferimin e know-how, që është shumë e rëndësishme për plotësimin e kritereve për anëtarësimin në BE si dhe reformat ekonomike dhe institucionale që rrjedhin nga agjenda reformues.
Ministri Kamenicki potencoi se ky takim është i rëndësishëm për shkëmbimin e përvojave mes dy vendeve. Ai, po ashtu, ofroi ndihmë dhe përkrahje për vendin tonë në procesin e eurointegrimeve.
Po ashtu theksoi edhe rëndësinë e Memorandumit të Bashkëpunimit të nënshkruar për zhvillimin e tregjeve të kapitalit midis shtatë vendeve nga rajoni i EJL-së, përfshirë Sllovakinë dhe Maqedoninë, dhe mundësitë që ai hap për investitorët në rajon.
Gjatë takimit të dy ministrat diskutuan mundësitë për zhvillimin e tregjeve të kapitalit pas nënshkrimit të Memorandumit për Bashkëpunim midis shtatë vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe Maqedonisë së Veriut dhe mundësitë për përkrahjen në krijimin e masave për luftën kundër ekonomisë gri, si dhe përkrahjen për reformat në kuadër të procesit të eurointegrimit të vendit tonë.
Përveç takimit kokë më kokë midis dy ministrave, në kuadër të vizitës zyrtare u zhvillua edhe një takim dypalësh i delegacioneve nga të dy vendet, në të cilin u diskutuan disa tema që kanë potencial për punë dhe promovim të bashkëpunimit.

