Shumica e ekipeve sot e përdorin Inteligjencën Artificiale (IA) njësoj si motorët e kërkimit: bëjnë një pyetje të shpejtë, lexojnë përgjigjen e parë dhe vazhdojnë përpara. Ky mentalitet po pengon shfrytëzimin real të potencialit të IA. Sfidat kryesore nuk lidhen më me adoptimin e teknologjisë, por me ndryshimin e mënyrës së të menduarit.
Një studim i fundit i McKinsey tregon se më shumë se dy të tretat e organizatave përdorin IA në disa funksione biznesi, ndërsa gjysma e tyre në tre ose më shumë.
Kjo tregon se IA po integrohet në rrjedhat e punës, por shumë drejtues ende e shohin atë si mjet teknik dhe jo si partner bashkëpunues. Vlera reale e IA gjeneruese nuk qëndron te gjetja e komandës perfekte apo te platformat e reja, por te aftësia për ta trajtuar si një kolege të zgjuar: të shpjegosh qëllimin, të korrigjosh gabimet e të ndërtosh zgjidhje përmes dialogut.
Ashtu si një analist i ri, IA është e shpejtë dhe e aftë, por ka nevojë për udhëzim dhe verifikim. Puna me të nuk është një veprim i vetëm, por një bisedë e vazhdueshme: riformulim e kontroll. Në detyra komplekse apo me rrezik të lartë, verifikimi njerëzor mbetet thelbësor.
Kur trajtohet si bashkëpunëtore, IA përmirëson gjenerimin e ideve, përshpejton analizën dhe rrit cilësinë e përmbajtjes. Për të ndërtuar besim dhe aftësi, organizatat duhet të fillojnë me përdorime të thjeshta e me rrezik të ulët, si përmbledhja e dokumenteve, përmirësimi i shënimeve nga takimet apo draftet fillestare të raporteve.
Udhëheqësit duhet të japin shembullin, duke ndarë përvojat e tyre dhe vendosur rregulla të qarta për sigurinë e të dhënave. Në fund, avantazhin nuk do ta kenë ekipet me mjetet më të sofistikuara, por ato që ndërtojnë “intuitë për IA”, një ndjenjë praktike se kur, si dhe pse të bashkëpunojnë me të.
IA nuk është një zgjidhje e menjëhershme, por një aftësi që forcohet me praktikë. Ata që nisin herët dhe eksperimentojnë vazhdimisht do të jenë më të përgatitur për të udhëhequr ndryshimin. / shqip.al

