Shteti në gjah të duahnpirësve, godet rëndë gastroniminë dhe bizneset!

nga I.A

Shkup, 16 janar – Draft-ligji i ri për mbrojtjen nga duhani i publikuar nga Ministria e Shëndetësisë, mund të interpretohet edhe si ndërhyrje e shtetit në jetën e përditshme të qytetarëve në emër të shëndetit publik. Me ndalesa pothuajse absolute për pirjen e duhanit dhe produkteve të nikotinës, kufizime drastike për shitje e reklamim, si dhe gjoba të larta, shteti duket se ka zgjedhur qasjen “zero tolerancë”. Pyetja kryesore që shtrohet është a po mbrohet shëndeti publik, apo po kufizohet tej mase liria individuale? shkruan Zhurnal.

“Nuk ka vend për duhanpirësit” – 

Ligji i propozuar nuk lë pothuajse asnjë hapësirë neutrale. Pirja e duhanit ndalohet në të gjitha ambientet publike dhe të punës, në transport, institucione, objekte gastronomike, hapësira të përbashkëta të ndërtesave, madje edhe në automjete private në prani të fëmijëve. Edhe hapësirat e lejuara reduktohen në zona të jashtme të rrepta, të hapura nga së paku tre anë dhe pa asnjë pengesë fizike. Në praktikë, kjo nënkupton se duhanpirësi shtyhet gjithnjë e më shumë drejt margjinës sociale.

Nga perspektiva e shëndetit publik, argumentet e shtetit janë të forta. Duhani mbetet një nga shkaktarët kryesorë të vdekshmërisë dhe sëmundjeve kronike në vend, duke ngarkuar rëndë sistemin shëndetësor. Mbrojtja e fëmijëve dhe të rinjve nga ekspozimi ndaj tymit dhe nga varësia e hershme ndaj nikotinës është një qëllim legjitim dhe i justifikueshëm. Ndalimi i aromave dhe shijeve, si mentoli apo produktet “tërheqëse”, synon pikërisht këtë kategori e cila shpesh hyn në botën e nikotinës përmes produkteve që duken të padëmshme.

Megjithatë, ligji nuk ndalet vetëm te mbrojtja, por kalon edhe në sferën e kontrollit të fortë shoqëror. Kufizimi i paraqitjes së pirjes së duhanit në filma, seriale dhe përmbajtje online, edhe pse me përjashtime artistike, hap debat për censurë të butë dhe ndërhyrje në krijimtarinë kulturore. Vendosja e shenjave paralajmëruese në përmbajtje artistike për të rritur ngre pyetjen nëse publiku po trajtohet si i paaftë për të bërë dallim mes artit dhe promovimit.

Si ndikojnë këto masa të ashpra për ekonominë?

Nuk do mend që këto masa të ashpra nuk do të prodhojnë edhe pasoja për bizneset. Restorantet, baret dhe objektet gastronomike humbin një pjesë të klientelës, sidomos në një vend ku kultura e kafesë dhe duhanit është e rrënjosur thellë. Ndalesa e shitjes në shumë ambiente, ekspozimi i fshehur i produkteve dhe ndalimi i shitjes online apo përmes automatëve godet drejtpërdrejt bizneset e vogla. Kur kësaj i shtohen gjobat deri në 5.000 euro dhe mbyllja e përkohshme e objekteve, ligji merr dimension ndëshkues, jo vetëm preventiv.

Në këtë kontekst, shteti rrezikon të krijojë një ndarje të re shoqërore mes atyre që konsiderohen “qytetarë të përgjegjshëm” dhe duhanpirësve të stigmatizuar. Politikat e shëndetit publik janë më efektive kur shoqërohen me edukim, programe për lënien e duhanit dhe mbështetje reale, jo vetëm me ndalesa dhe gjoba. Përndryshe, rrezikohet që ligji të respektohet formalisht, por të anashkalohet në praktikë.

Kujtojmë që, ky draft-ligj është një sinjal i qartë se shteti ka vendosur të luftojë duhanin me çdo kusht. Pyetja nuk është nëse duhani është i dëmshëm kjo është e padiskutueshme se po. Pyetja tjetër është nëse një shoqëri bëhet më e shëndetshme vetëm duke ndaluar, apo duke bindur. Nëse ligji zbatohet pa ndjeshmëri sociale dhe pa alternativa reale për duhanpirësit, rrezikon të perceptohet jo si mbrojtje e shëndetit por si imponim i stilit të jetesës. /Zhurnal.mk

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More