Kryetari i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, deklaroi sot se PD nuk do të braktisë Komisionet për Reformën Zgjedhore dhe Reformën Territoriale, duke theksuar se forca politike që ai përfaqëson do të vijojë pjesëmarrjen aktive në këto procese.
Pas diskutimeve të zhvilluara në kryesinë e vogël të Partisë Demokratike, Boçi tha se qëndrimi zyrtar i PD-së është vijimi i punës në të dyja komisionet, në përputhje me agjendën e përcaktuar.
“Qëndrimi i shprehur i PD-së pas diskutimeve në kryesinë e vogël është që Partia Demokratike do të vijojë të jetë pjesë e Komisionit për Reformën Zgjedhore dhe atë Territoriale dhe do të vazhdojë me agjendën e komisioneve”, u shpreh Boçi.
Ai theksoi se PD nuk do të bojkotojë komisionet dhe se do të njoftohet zyrtarisht gatishmëria e grupit parlamentar për të bashkëpunuar në një reformë që, sipas tij, është e rëndësishme për vendin.
Boçi bëri të ditur se brenda grupit parlamentar ka pasur diskutime dhe mendime të ndryshme, përfshirë edhe propozime për braktisje, por vendimmarrja është marrë në mënyrë demokratike.
“Duhet të ketë një dalje dhe ajo duhet të jetë konsensuale, përndryshe procesi rrezikon të perceptohet si i paravendosur”, deklaroi Boçi, duke shtuar se komisionet parlamentare, përfshirë Komisionin e Mandateve, mbeten thelbësore për funksionimin institucional.

