Shkupjani Igor Jurukov dje në një postim në Facebook ndau përvojën e tij me gabimin e bërë nga sistemi „Safe City“ (Qyteti i Sigurt), ndërsa gjithë procesin e vërtetimit se nuk ka bërë kundërvajtje e vlerësoi si një „udhëtim“ për të cilin i u deshën gjashtë ditë për të nxjerrë drejtësinë në dritë.
„Dita 1. Po lëviz në një grup me disa automjete në rrugën ‘Ilindenska’ dhe të gjithë po ulim shpejtësinë për shkak të semaforit të kuq. Në atë moment, një motor kalon me shpejtësi mes makinave dhe ja ku mbërrin një SMS për tejkalim shpejtësie dhe gjobë prej 15 eurosh (7,5 euro me zbritje). Radari faktikisht shënon shpejtësinë e tij, ndërsa softueri OCR nga kamera kërkon regjistrimin (targën) në radiusin e objektit që po nxiton, dhe për fat të keq, ai qëllova të jem unë!!! (motorët siç e dimë nuk kanë targa përpara…) fat… sidoqoftë, thashë me vete do të ankohem, nuk është asgjë e tmerrshme…
Dita 2. Shkoj në sportelin e ‘Safe City’ në MPB prapa ndërtesës së MTV-së, djaloshi aty më thotë se ky sportel nuk është për ankesa, duhet të drejtohem në Stacionin Policor (S.P.). Shkoj në S.P. me të njëjtin muhabet dhe kopjet e procesverbalit dhe fotot që vijnë me të… marr informacion: për ankesat e ‘Safe City’ duhet të shkoni në Gjykatën për Kundërvajtje përballë fakulteteve. Shkoj në Gjykatë, në një zyrë të mbushur plot me dollapë me arkiva, një punonjëse e sjellshme më shpjegon se çfarë dhe si të plotësoj në dy kopje dhe t’i dorëzoj në sportel, por doli një problem… makina është zyrtare (e firmës sime) dhe duhet të jap deklaratë në MPB se unë e kam drejtuar… Shkoj përsëri në S.P. dhe kërkoj të plotësoj deklaratën, por aty më kërkojnë urdhër-udhëtimi ose autorizim me vulë dhe nënshkrim…
Dita 3. Shkoj në S.P. me dokumente të përgatitura rregullisht, personi zyrtar që më priti për të plotësuar deklaratën më këshilloi miqësisht ta paguaj gjobën sa është koha për 50% zbritje, sepse siç konkludoi ai, nuk ka shanse që ‘Safe City’ të gabojë… kundërshtoj prerazi… dhe kur e pa që nuk lëshoja pe, nxori formularin për ta plotësuar. Pra, tani duhet të pres të arrijë një procesverbal i ri për ‘kundërvajtjen e kryer’ me SMS dhe e-mail, por këtë herë në emrin tim. OK, do të pres…
Dita 4. Pres unë ashtu 24 orë, nuk ka SMS të ri, nuk ka e-mail… shkoj në S.P.! Kërkoj te sporteli i informacionit të ngjitem lart, nuk më lejohet, komunikohet me telefon nga hyrja me dikë ‘lart’ dhe marr përgjigje se duhet ta marr me SMS këto ditë, e jo siç kisha kuptuar dje – menjëherë ose më së voni nesër…
Dita 5. Ndërkohë po kalon dita e tetë, do të pasojë pagesa prej 15 eurosh ose arkëtimi i dhunshëm!!! Drejtohem përsëri në S.P., insistoj te hyrja të ngjitem lart, OK më la djaloshi… aty u gjend një njeri i sjellshëm, nja 15 minuta verifikoi rastin dhe më njoftoi se është vënë në radhë për procesim… besoj sepse isha këmbëngulës. Dhe vërtet, pas dy orësh erdhi procesverbali i ri në emrin tim, me datën e asaj dite.
Dita 6. Shkoj me të gjitha dokumentet e nevojshme në dy kopje në Gjykatën për Kundërvajtje, në sportel më kërkojnë TRI kopje, shpjegimi im se më është thënë për DY, natyrisht nuk kaloi. Edhe një shkuarje deri në Gjykatë, tani me tri kopje në dorë, më në fund në njërën kopje vihet vula dhe mbetet te unë, ndërsa dy kopjet e tjera i morën. Pyes: A do të ndalet tani kronometri i 8 ditëve?? ‘Asgjë nuk di… asgjë nuk di’ ishte përgjigjja. Pra, jam shumë i lumtur që drejtësia mori zgjidhjen e parë!! Gjashtë ditë shëtitje nëpër institucione, e ndonjëherë edhe në disa brenda të njëjtës ditë!
Shpresoj që gjykata do të angazhojë një person ekspert nga fusha e komunikacionit, për të cilin rasti do të jetë ‘ujë i ftohtë’ por për ‘Safe City’ një problem serioz!!! Për zgjidhjen sistematike të ankesave të tilla nuk ka asgjë të re… jemi ende në shekullin e kaluar… letra, kopje, shëtitje nëpër sportele. Më mbeteni të sigurt!“, shkroi në postimin e tij shkupjani Igor.
