Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi tha sot se në rend të ditës së Kuvendit duhet të jetë me prioritet heqja e imunitetit të zëvendëskryeministres, njëherazi ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Bardhi tha se këtu nuk mund të ketë miratim kalendari apo programi të Kuvendit pa pasur një mbledhje të Këshillit të Mandateve dhe Rregullores për heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku, sipas kërkesës së paraqitur nga SPAK.
“Partia Demokratike kërkon futjen me urgjencë në rend dite të kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut. Na thatë që do prisnit vendimin e Gjykatës Kushtetuese, i mbushët mendjen shqiptarëve që nuk mund të ketë pezullim, por Gjykata Kushtetuese tha 8-0 që nuk mund të flasë fare për çështjen e pezullimit. Tani po kërkoni të ndryshoni ligjin”, tha Bardhi, duke e cilësuar propozimin e mazhorancës si një mburojë për të mbrojtur veten nga drejtësia.
“Po bëheni pengesë për hetimin”, u shpreh Bardhi.
“Kuvendi ka dështuar për dy muaj të mblidhet për t’i hequr imunitetin Ballukut. Po miratoni një ligj për të mbrojtur veten. Duhet t’i hapni rrugë çdo mase që kërkon prokuroria ndaj cilitdo, që të përballet si i barabartë para ligjit”, tha Bardhi.
Kreu i grupit parlamentar të PD solli në vëmendje edhe deklaratën e një dite më parë të kryetarit të Komitetit për Punët e Jashtme (AFET) të Parlamentit Evropian, David McAllister.
“Me veprimet tuaja po sillni atë që quhet pengim i drejtësisë. Dje kryetari i Komitetit për Punët e Jashtme (AFET) i Parlamentit Evropian, çështjen e Ballukut e quajti një test kritik për luftën ndaj korrupsionit. Mos provokoni qytetarët dhe opozitën, lejoni që ky Kuvend të realizojë në kohë heqjen e imunitetit ndaj Ballukut”, përfundoi Bardhi.
Kryetari i Kuvendit Niko Peleshi u shpreh se Këshilli i Mandateve dhe Imuntetit do të mblidhet ditën e hënë, ndërsa shtoi se deklarata e Bardhit vjen për konsum politik.
