Në takim me Osmanin, ambasadori britanik thotë se Kosova ka nevojë urgjente për stabilitet politik

Nga D. V.
791 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet e fundit politike në vend dhe rëndësinë e stabilitetit institucional.

Sipas njoftimit nga Presidenca, gjatë takimit presidentja Osmani shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme që United Kingdom i ka dhënë Kosovës ndër vite.

“Presidentja shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar për Kosovën dhe popullin tonë”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Ajo theksoi gjithashtu përkushtimin e institucioneve të Kosovës për thellimin e bashkëpunimit me Mbretërinë e Bashkuar dhe për hapjen e kapitujve të rinj të partneritetit.

“Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar për të thelluar bashkëpunimin me Mbretërinë e Bashkuar dhe për të hapur kapituj të rinj të partneritetit që kontribuojnë në arritjen e objektivave të përbashkëta”, thuhet më tej në komunikatë.

Ndërkohë, ambasadori britanik Hargreaves theksoi rëndësinë e stabilitetit politik në vend në këtë periudhë.

“Sot bisedova me Presidenten Osmani për nevojën urgjente që Kosova t’i rikthehet stabilitetit politik për të mundësuar përparim në agjendat e brendshme dhe ndërkombëtare. Në këtë kohë pasigurie politike, diskutimi i respektueshëm dhe konstruktiv është thelbësor për të gjetur rrugën përpara”, ka shkruar ai.

Gjatë takimit u diskutua edhe për rëndësinë e ruajtjes së një mjedisi demokratik në Kosovë, ku respektohen mendimet e ndryshme dhe debati publik zhvillohet në mënyrë të përgjegjshme.

Në këtë kontekst u theksua se gjuha kërcënuese dhe bullizuese është e papranueshme dhe nuk duhet të ketë vend në diskursin publik.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër