Shkup, 18 Mars, Zhurnal.mk – Evakuimi i të gjithë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut të regjistruar për largim nga vendet e prekura në Lindjen e Mesme ka përfunduar plotësisht, tha qeveria sot.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme tha se me fluturimin e mbrëmshëm kur në Shkup u sollën 119 shtetas, dhe 28 shtetas të huaj, ka përfunduar evakuimi i krejt 605 shtetasve nga vendet e rajonit të përfshirë në luftime.
“Me fluturimin e fundit, të pestë, që u ul dje në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, u evakuuan gjithsej 147 pasagjerë, nga të cilët 119 ishin shtetas maqedonas dhe 28 ishin shtetas të huaj,” tha ministria e punëve të jashtme sot në një njoftim, për fluturimet e organizuara nga qeveria.
“Me realizimin e këtyre fluturimeve, numri i përgjithshëm i shtetasve të evakuuar të Maqedonisë arriti në 605,” thuhet në komunikatë.
