Takimi i parë zyrtar i Grupit të Shtatë vendeve të industrializuara kryesore (G7) që nga koha kur SHBA-ja, një anëtare e G7-ës, dhe Izraeli sulmuan Iranin, ka nisur dje në periferi të Parisit – megjithëse diplomati kryesor amerikan nuk pritet deri të premten.
Para mbërritjes së sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, ministrat e tjerë të Jashtëm të G7-ës që u takuan dje po kërkonin të ndërtonin një linjë të përbashkët me SHBA-në se si t’i jepnin fund luftës në Iran.
“Sado e vështirë të jetë, duke pasur parasysh situatën, ne do të angazhohemi dhe duhet të angazhohemi në diskutime intensive gjatë ditëve në vijim për të gjetur zgjidhje të përbashkëta”, tha ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul në fillim të bisedimeve në Vaux-de-Cernay.
Ai tha se ishte e rëndësishme dhe e drejtë që Rubio po merrte pjesë në samit, duke shtuar se ishte i bindur se mund të përcaktohej një qëndrim të përbashkët.
“Qëllimi është që ky konflikt të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur, por edhe ta çojmë atë në një përfundim të qëndrueshëm”, tha ministri gjerman.
“Në shkëmbimet mbi Iranin, mbrojtja e infrastrukturës civile dhe rihapja e rrugëve tregtare detare është gjithashtu e përfshirë në axhendë”, sipas zyrtarëve francezë.
Ministrat e Jashtëm duan gjithashtu të diskutojnë se si të rrisin presionin mbi Moskën pasi presidenti i SHBA-së Donald Trump lehtësoi përkohësisht sanksionet naj furnizimeve ruse të naftës për shkak të bllokadës së Iranit në Ngushticën e Hormuzit, e cila është e rëndësishme për furnizimet globale me energji.
Përveç SHBA-së, Gjermanisë dhe Francës, G7 përbëhet nga Britania e Madhe, Italia, Japonia dhe Kanadaja.
