Kërçovë, 25 maj Zhurnal.mk – Leni Angelloska-Zdraveska nga Gostivari ka kërkuar publikisht reagim nga institucionet, pasi sipas saj, ajo dhe dy fëmijët e saj të mitur janë sulmuar nga dy qen agresivë në fshatin Drugovë të Kërçovës.
Sipas postimit të saj në rrjetet sociale, ngjarja ka ndodhur më 22 maj, derisa kishte dalë për një shëtitje të shkurtër me fëmijët.
“Në panik, fëmijën më të vogël e mora në krahë, ndërsa me dorën tjetër përpiqesha ta mbroja vajzën më të madhe duke e fshehur pas meje. Në atë moment, njëri qen ma tërhoqi fëmijën nga duart dhe ai ra në bekaton. U shfaq edhe një qen tjetër që më sulmoi në mënyrë agresive. Më kapi për duksin dhe sërish ma tërhoqi fëmijën. Fëmija u tërhoq zvarrë mbi bekaton”, ka shkruar Angelloska-Zdraveska.
Ajo shton se në një moment pranë tyre ishte ndalur një veturë dhe fëmija kishte përfunduar pothuajse nën rrotën e përparme.
“Me forcat e fundit arrita ta tërheq, e mora në krahë dhe hymë në oborrin e fqinjëve për të shpëtuar. Por qentë vazhdonin të ktheheshin pas nesh”, ka treguar ajo.
Sipas pretendimeve të saj, fëmija ka pësuar lëndime trupore, të cilat janë konstatuar në Qendrën Mjekësore në Kërçovë.
Angelloska-Zdraveska pretendon gjithashtu se pronari i qenve nuk ka treguar asnjë shqetësim pas incidentit.
“Më e frikshmja është se personi që i mban qentë reagoi ftohtë duke thënë se ‘nuk i është bërë asgjë’ dhe nuk tregoi asnjë kujdes, përgjegjësi apo humanizëm”, ka shkruar ajo.
Rasti, sipas saj, është raportuar në polici përmes Ndihmës së Shpejtë, ndërsa ajo ka dhënë edhe deklaratë zyrtare.
“Këtë nuk e ndaj për të bërë dramë, por sepse sot ishte fëmija im — nesër mund të jetë i dikujt tjetër”, ka porositur Angelloska-Zdraveska.
