Ohër, 26 maj, Zhurnal.mk – Në kuadër të takimit bilateral ndërmjet Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Qeverisë së Republikës së Kroacisë, të udhëhequra nga kryeministrat Hristijan Mickoski dhe Andrej Plenković, u riafirmua partneriteti strategjik ndërmjet dy vendeve, si dhe përkushtimi për thellimin e bashkëpunimit në fusha kyçe me rëndësi për zhvillimin ekonomik, infrastrukturor dhe energjetik.
“Pas nënshkrimit të Marrëveshjes për bashkëpunim strategjik ndërmjet dy qeverive, pata kënaqësinë të marr pjesë në sesionin e dialogut ekonomik dhe rrjetëzimit ndërmjet përfaqësuesve institucionalë dhe komunitetit të biznesit, ku u shqyrtuan mundësi konkrete për investime të reja, zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik dhe forcimin e lidhjeve ndërmjet sektorit publik dhe privat.
Në cilësinë e drejtorit të MEPSO-s, theksova rëndësinë strategjike të zhvillimit të infrastrukturës energjetike dhe transformimit digjital të sistemit të transmetimit të energjisë elektrike, si parakusht për rritjen e sigurisë dhe stabilitetit energjetik, si dhe për integrim më të thellë në tregjet evropiane të energjisë.
Në këtë kontekst, nënvizova se fokusi ynë aktual është i orientuar drejt projekteve të ndërlidhjes rajonale, veçanërisht interkoneksionit me Republikën e Shqipërisë përmes ndërtimit të një nënstacioni transformues dhe linje transmetimi, dy projekte strategjike që po realizohen nga kompani kroate me reputacion ndërkombëtar, si “Dalekovod Zagreb” dhe “Končar Group”.
Gjithashtu, theksova se, bazuar në përvojën time profesionale, e njoh mirë rëndësinë e investimeve të huaja dhe rolin e tyre kyç në zhvillimin e institucioneve publike dhe kompanive private, përmes kontributit në modernizim, rritje të kapaciteteve dhe përmirësim të performancës ekonomike”, tha Ljatifi.
Ky bashkëpunim i thelluar ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Kroacisë përbën një hap të rëndësishëm drejt forcimit të partneritetit strategjik, zhvillimit të infrastrukturës energjetike rajonale dhe krijimit të një klime më të favorshme për investime të qëndrueshme dhe zhvillim afatgjatë.
