Tokio, 04 qershor, Zhurnal.mk – Kryeministrja e Japonisë, Sanae Takaichi paralajmëroi sot se niveli rekord i ulët i lindshmërisë në vend pasqyron një “situatë jashtëzakonisht të rëndë”, ndërsa Japonia po përballet me një rënie të thellë demografike.
Duke folur në seancën e Komisionit të Buxhetit në Dhomën e Përfaqësuesve, Takaichi e përshkroi rënien e popullsisë si “një emergjencë e heshtur dhe një çështje jetike”, sipas gazetës “The Mainichi”.
“Kam vetëm shtatë muaj në detyrë dhe ende nuk kam arritur të ndryshoj në mënyrë drastike trendin”, tha ajo.
Takaichi tha se qeveria e saj synon të rrisë të ardhurat neto të të rinjve për ta bërë më të lehtë për ata që duan të martohen dhe të kenë fëmijë si dhe të zgjerojë mbështetjen për prindërit që përballen me vështirësitë e rritjes së fëmijëve.
Japonia regjistroi 671.236 lindje në vitin 2025, shifra më e ulët vjetore që nga fillimi i regjistrimeve në vitin 1899. Norma totale e lindshmërisë në vend, numri mesatar i fëmijëve që pritet të ketë një grua gjatë jetës ka rënë në nivelin rekord prej 1,14, sipas të dhënave qeveritare.
Popullsia e Japonisë ishte pak mbi 123 milionë në vitin 2025, një rënie prej 3.1 milionë krahasuar me pesë vite më parë, sipas të dhënave të cituara nga Nippon.com.
