Shansi për t’i dhënë fund krizës në Kosovë, analistët politikë: Mund të mos mjaftojnë zgjedhjet, do të duhet presion ndërkombëtar

Nga Xh M
933 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 7 qershor Zhurnal.mk – Zgjedhësit në Kosovë i drejtohen sot qendrave të votimit për zgjedhjet e treta parlamentare brenda më pak se një viti e gjysmë, pas zgjedhjeve të rregullta të 9 shkurtit 2025 dhe atyre të parakohshme të 28 dhjetorit.

Të parat nuk arritën të prodhojnë një qeveri, të dytat i dhanë Lëvizjes Vetëvendosje mbi 51 për qind të votave dhe shumicën në Kuvend, por mungesa e marrëveshjes për zgjedhjen e presidentit, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, çoi në shpërndarjen e legjislaturës së dhjetë vetëm dy muaj e gjysmë pas konstituimit. Më 30 prill, ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, shpalli datën e zgjedhjeve të reja për 7 qershor, duke argumentuar nevojën për respektimin e afateve kushtetuese, organizimin efikas nga KQZ-ja dhe pjesëmarrjen sa më të gjerë të qytetarëve. Shpërndarja e legjislaturës u komentua nga kryeministri në detyrë dhe kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, si një “mjerim politik”, i shkaktuar nga partitë opozitare për mosbashkëpunim dhe bojkotimin e seancave për zgjedhjen e presidentit. Kurti akuzoi opozitën për një karakter të vjetër politik dhe rënie të vazhdueshme elektorale, kujton REL. Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, fajin nuk e gjen tek bangat e opozitës, por te karriget e pushtetit, që sipas tij imponoi këtë situatë. Analistët politikë vënë në dukje se këto zgjedhje janë më shumë se një rotacion pushteti: Ato do të përcaktojnë drejtimin politik të vendit: a do të forcohet pushteti i një partie dhe lideri i saj, apo do të vendosen mekanizma bashkëpunimi dhe balancash demokratike. Ekspertet paralajmërojnë mbi rrezikun e përqendrimit të pushtetit te një lider, ndërsa një sistem konsensual kërkon kompromis ndërpartiak për funksionim institucional. Sistemi politik i Kosovës kërkon shumicën prej dy të tretash për vendime kyçe si zgjedhja e presidentit, gjë që imponon bashkëpunim ndërpartiak. Megjithatë, aktorët politikë shpesh synojnë më shumë pushtet sesa u jep mandati elektoral, duke krijuar komoditet për Qeverinë në detyrë dhe mundësi për të shtyrë vendime të vështira, përfshirë dialogun me Serbinë. Në këtë pikë, analistët besojnë se vetëm presioni ndërkombëtar mund t’i shtyjë palët drejt kompromisit, teksa nënvizojnë se është kokëfortësia e elitave politike ajo që riprodhon krizën.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër