Tiranë, 12 qershor, Zhurnal.mk – Avokati i Popullit, Endrit Shabani, u prit këtë javë në Departamentin Amerikan të Shtetit, në një takim me Byronë e Demokracisë, të Drejtave të Njeriut dhe Punës (DRL), strukturën që harton raportet vjetore amerikane mbi të drejtat e njeriut në botë.
Gjatë takimit, u theksua vullneti i përbashkët për të thelluar bashkëpunimin në fushën e të drejtave të njeriut, monitorimit të pavarur dhe shtetit të së drejtës.
Pritja në Uashington pasoi me fjalën e Shabanit në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, ku ai u ftua si folës në një forum ndërkombëtar të nivelit të lartë mbi të drejtat e njeriut, në kuadër të Konferencës së 19-të të Shteteve Palë të Konventës së OKB-së për PAK.
Gjatë fjalës së tij, Shabani bëri thirrje për heqjen e barrierave që personat me aftësi të kufizuar hasin për të ushtruar të drejtat e tyre, duke nisur nga e drejta për të votuar.
“Çdo shoqëri merr një vendim të heshtur: nëse personat me aftësi të kufizuara do të ndihmohen apo do të respektohen. Dhe që të respektohen ata duhet të lejohen të marrin pjesë si të barabartë”, tha Avokati i Popullit në fjalën e tij.
Shabani theksoi gjithashtu se institucionet e pavarura duhet të shërbejnë si urë midis programeve sociale dhe politikave publike, duke i sjellë shqetësimet e qytetarëve direkt në tryezat ku vendosen standardet ndërkombëtare.
Avokati i Popullit do të vijojë angazhimin me partnerët ndërkombëtarë në zbatim të mandatit të tij kushtetues, i cili ka në themel mbrojtjen e qytetarëve më vulnerabël në shoqëri.
