Prishtinë, 12 qershor, Zhurnal.mk – Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, me rastin e 27-vjetorit të Çlirimit të Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Pas homazheve, Kurti tha se Prekazi mbetet simbol i qëndresës dhe sakrificës për liri, duke vlerësuar se epopeja e familjes Jashari është themel i historisë moderne të Kosovës dhe i idealit për liri e shtetësi.
“Sot më 12 qershor, vijmë këtu si krerë të institucioneve në Prekaz, në këtë kryeqytet të kryengritjes bashkëkohore të popullit shqiptar, që shënon edhe vendin e epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Meqenëse më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, tri brezat e Jasharëve qëndruan, luftuan dhe u sakrifikuan për lirinë e popullit tonë, për bashkim, për shtet dhe për pavarësi. Beteja epike e Jasharëve, e Bacës Shaban me dy djemtë e tij, Hamzën e Ademin, me gratë e tyre, Zahiden e Zarifen, Feriden e Adilen dhe me të gjithë të tjerët, të cilët nuk u nënshtruan për asnjë moment, është sot në thelb të historisë së popullit tonë, dhe atë jo vetëm si Kosovë e si Republikë Demokratike, por njëkohësisht edhe si komb shqiptar, në kuptimin e shqiptarëve kudo që ata janë, dhe në kuptimin e shtrirjes përtej së tashmes, pra nga e kaluara e lashtë e deri në të ardhmen kur, siç thotë edhe himni kombëtar shqiptar, ne do të rrojmë. Prandaj, duke u kthyer e rikthyer këtu, duke kujtuar e përkujtuar flijimin e Jasharëve, ne më së miri i qëndrojmë besnikë çlirimit dhe emancipimit, pavarësisë dhe bashkimit, zhvillimit dhe progresit”, tha Kurti.
