Balla në PE: Zona e investimit në Zvërnec nuk ka lidhje me deltën e Vjosës, po përballemi me fushatë dezinformimi

Nga D V
797 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 17 qershor, Zhurnal.mk – Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, gjatë një fjale para anëtarëve të grupit të Socialistëve dhe Demokratëve në Parlamentin Europian, deklaroi se Shqipëria ka shënuar një arritje të rëndësishme në procesin e integrimit europian, pas vlerësimit pozitiv të përmbushjes së piketave të ndërmjetme të Grupkapitullit të Themeloreve.

Sa i përket investimit në Vlorë, Balla tha se zona e investimit në Zvërnec nuk ka lidhje me deltën e Vjosës.

“Janë lajme të rreme që shpërndahen me qëllim për të krijuar konfuzion. Po përballemi me një fushatë dezinformimi, por do ta pastrojmë mjegullën. Zona e investimit në Zvërnec është pronë private me tituj të regjistruar pronësie, ndërsa zona “Pishë Poro–Nartë” vijon të mbetet “Peizazh i Mbrojtur” sipas klasifikimit të IUCN-së”, tha ai.

Balla nënvizoi se delta e Vjosës gëzon nivelin më të lartë të mbrojtjes si park kombëtar dhe nuk preket nga zhvillimet e planifikuara.

Lidhur me ishullin e Sazanit, Balla tha se ishulli mbetet pronë shtetërore dhe nuk ka qenë asnjëherë objekt shitjeje. Sipas Ballës, modeli i propozuar synon përfshirjen e shtetit shqiptar në investim përmes aksioneve, ndërsa negociatat me investitorët janë ende në vijim dhe nuk ka një marrëveshje përfundimtare.

“Mënyra e propozuar për ta vënë këtë pronë shtetërore në funksion të transformimit të saj në një destinacion turistik të klasit botëror është përmes pjesëmarrjes së shtetit në vetë investimin. Në bazë të një procesi të detajuar negociatash, shteti do të përfitonte aksione si palë e përfshirë në investim, ndërsa ishulli do të mbetej në çdo kohë pronë e shtetit shqiptar. Negociatat janë ende në zhvillim dhe ende nuk është arritur asnjë marrëveshje përfundimtare. Paralelisht, investitorët kanë vijuar studimet e tyre të zhvillimit, por ende nuk kanë paraqitur projektin arkitektonik dhe as vlerësimin përkatës të ndikimit në mjedis”, tha ai.

Balla theksoi më tej se vendimi i Konferencës së Anëtarësimit në Bruksel konfirmon progresin e qëndrueshëm të Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe përforcon perspektivën europiane të vendit.

Duke u ndalur te reforma në drejtësi, Balla tha se sistemi ka kaluar nga faza e ndërtimit institucional në atë të rezultateve konkrete, duke veçuar rolin e SPAK dhe gjykatave të posaçme në hetimin e korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar.

Në përfundim, Balla garantoi se Shqipëria do të vazhdojë të respektojë standardet europiane për mbrojtjen e mjedisit, ndërsa paralelisht do të zhvillojë sektorin turistik si një motor të rëndësishëm të rritjes ekonomike dhe mirëqenies së qytetarëve.

“Dua t’ju garantoj se Shqipëria, si një nga vendet kryesuese në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian, e cila ka bërë përparim të rëndësishëm në mbrojtjen e mjedisit, progres i vlerësuar nga Komisioni Europian, do të vazhdojë të respektojë standardet dhe angazhimet në këtë drejtim. Shqipëria do të zhvillojë dhe forcojë ekonominë e saj turistike për të mirën dhe mirëqenien e qytetarëve të saj”, u shpreh Balla.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër