Mickoski: Nuk ka pazar me identitetin, kjo është vija jonë e kuqe ,përgatituni për maratonë drejt BE-së

Nga D. V.
1,337 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 18 qershor, Zhurnal.mk – Kryeministri Hristijan Mickoski vlerësoi se procesi i integrimit evropian do të jetë i gjatë dhe i vështirë. Ai theksoi se vendi i qytetarëve të Maqedonisë është në tryezën e Brukselit, si anëtar i barabartë i BE-së, raporton SlobodenPecat, transmeton Zhurnal.

Nga festa partiake në Strumicë, Mickoski përcolli mesazhin se objektiv strategjik i shtetit mbetet anëtarësimi në Bashkimin Evropian, por nënvizoi se nuk do të ketë lëshime kur bëhet fjalë për identitetin dhe gjuhën maqedonase. Ai vlerësoi se procesi eurointegrues do të jetë i gjatë dhe i vështirë, duke i ftuar qytetarët të përgatiten për një betejë për “korrigjimin e tradhtisë” që, sipas tij, e ka bërë pushteti i mëparshëm. Mickoski theksoi se vendi i qytetarëve të Maqedonisë është në tryezën e Brukselit, si anëtar i barabartë i BE-së.

“Përgatituni për maratonë, sepse do të duhet të luftojmë për të korrigjuar atë tradhti dhe atë kapitullim që qeveria e mëparshme, më e korruptuara në historinë e Maqedonisë, ia bëri këtij populli dhe atdheut të vet. Përgatituni të luftojmë dhe të fitojmë, që bashkëkombësit tanë nga ana tjetër e kufirit të realizojnë të drejtën e tyre njerëzore, të regjistrojnë më në fund institucionin e tyre, nën të cilin do të mund të organizohen kulturorisht. Në dorë kemi marrëveshjen që e nënshkroi qeveria e mëparshme, por gjithashtu fqinji ynë lindor ka në tryezë 14 vendime të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut që thonë: ‘Menjëherë të regjistrohet organizata e Maqedonasve tek fqinji ynë lindor, OMO Ilinden Pirin”, deklaroi Mickoski.

Në fjalimin e tij, kryeministri përcolli mesazh edhe për liderët evropianë, duke kërkuar garanci se nuk do të ketë më kushte bilaterale për vendin.

“Merrni vendim se nuk ka më çështje bilaterale, se identiteti, kultura, tradita, zakonet dhe gjuha maqedonase shumë shekullore janë konstante dhe fakt. Dhe se askush nuk do ta hapë më këtë temë. Nuk ka çmim. Nuk ka lavdi, nuk ka pushtet që mund të më bindë se pa këto gjëra do të pranojmë diçka. Kjo është vija jonë e kuqe”, tha Mickoski.

Duke u ndalur tek marrëdhëniet me fqinjin lindor, ai vlerësoi se rregullat evropiane duhet të vlejnë njësoj për të gjithë.

Mickoski akuzoi pushtetin e mëparshëm se me marrëveshjet e nënshkruara i ka shkaktuar dëm procesit eurointegrues, duke vlerësuar se ata kanë marrë përsipër obligime që, sipas tij, shumica e qytetarëve nuk do t’i pranonin.

Në fjalimin e tij u ndal edhe tek lufta kundër krimit dhe korrupsionit, duke hedhur poshtë akuzat se ekziston marrëveshje me pushtetin e mëparshëm për mosndjekjen e funksionarëve.

Kryeministri më herët kishte paralajmëruar se do të nisë një rikonstruim të Qeverisë dhe ndryshime edhe në parti. Ai theksoi se nuk do të tolerohet largimi nga parimet dhe se “për një pjesë të funksionarëve karrigia është bërë më e rëndësishme se populli”, duke përmendur ankesa për mungesën e tyre në terren dhe mosaktivitetin.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër