Shkup, 23 qershor Zhurnal.mk – Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg ka vlerësuar se shfuqizimi i faljeve që ish-presidenti Gjorge Ivanov i dha në vitin 2016 ka qenë i justifikuar dhe në përputhje me interesin publik, por njëkohësisht ka konstatuar se ish-funksionarëve Mile Janakieski dhe Kosta Mitrovski u është shkelur e drejta për gjykim të drejtë.
Vendimi është marrë në rastin “Taleski dhe të tjerët kundër Maqedonisë së Veriut”, që lidhet me procedurat penale të hapura pas anulimit të faljeve presidenciale të ndara gjatë krizës politike në vend. Rasti ishte iniciuar nga ish-kryetari i Komunës së Manastirit, Vladimir Taleski, i dënuar në lëndën “Transportuesi”, të ngritur nga ish-Prokuroria Speciale Publike.
Sipas vendimit të publikuar sot, Gjykata në Strasburg ka vendosur njëzëri se nuk ka pasur shkelje të nenit 6 paragrafi 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut për shkak të ndërhyrjes ligjore që lejoi shfuqizimin e faljeve presidenciale dhe vazhdimin e procedurave penale ndaj aplikuesve.
Në arsyetimin e saj, Gjykata thekson se interesi publik, përgjegjësia e funksionarëve dhe sundimi i ligjit kanë peshuar më shumë sesa parimi i sigurisë juridike, duke vlerësuar se shteti kishte të drejtë t’i anulonte faljet e dhëna pa bazë të qartë ligjore në një periudhë krize politike.
Megjithatë, Strasburgu ka konstatuar shkelje të së drejtës për një proces të rregullt gjyqësor në rastin e Mile Janakieskit dhe Kosta Mitrovskit. Sipas vendimit, Gjykata Supreme nuk ka arritur të korrigjojë mangësitë e konstatuara në procedurën e apelit, me çka është cenuar e drejta e tyre për një procedurë kontradiktore dhe për gjykim të drejtë.
Për këtë arsye, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka urdhëruar shtetin që t’u paguajë Janakieskit dhe Mitrovskit nga 3.600 euro secilit si kompensim.
Rasti buron nga faljet masive që presidenti i atëhershëm Gjorge Ivanov i ndau në vitin 2016 për funksionarë të lidhur me aferën e përgjimeve, vendim që shkaktoi reagime të forta politike dhe protesta në vend. Më pas, këto falje u shfuqizuan me ligj, duke i hapur rrugë vazhdimit të procedurave penale të nisura nga PSP-ja.
Kujtojmë se në vitin 2023, Gjykata e Strasburgut kishte vendosur se aplikimet e një pjese të të akuzuarve dhe të dënuarve në lëndët e PSP-së, të cilët ishin përfshirë në faljet e Ivanovit, ishin të papranueshme.
