Në Gostivar do të shpallet epidemi e sëmundjes infektive, ISHP: Uji të mos përdoret për pije, gatim dhe larje

Nga R.ZH
3,095 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 19 korrik, Zhurnal.mk – Në territorin e Komunës së Gostivarit do të shpallet epidemi e një sëmundjeje ngjitëse, pas rritjes së numrit të personave me simptoma të helmimit, njoftoi Instituti i Shëndetit Publik (ISHP).

Shefi i Departamentit për Epidemiologji të Sëmundjeve Ngjitëse në ISHP, Dragan Koçinski, deklaroi se njoftimet e para janë pranuar mëngjesin e sotëm, ndërsa deri tani janë regjistruar 140 persona të sëmurë, të cilët po intervistohen nga epidemiologët për të përcaktuar burimin e infeksionit.

“Jemi në komunikim të vazhdueshëm me Qendrën e Shëndetit Publik në Tetovë dhe gjatë ditës së sotme do të merret vendimi për shpalljen e epidemisë së sëmundjes ngjitëse. Kjo do të mundësojë koordinim më të mirë ndërmjet të gjitha institucioneve kompetente”, tha Koçinski.

Mbi 350 kontrolle në spital, tre pacientë të shtruar

Ministria e Shëndetësisë njoftoi se në periudhën nga 18 korriku, ora 08:00, deri më 19 korrik, ora 08:00, në Spitalin e Përgjithshëm të Gostivarit janë kryer:

  • 204 kontrolle në Repartin Infektiv, ku tre persona janë hospitalizuar;
  • 140 kontrolle në Repartin e Pediatrisë;
  • 9 kontrolle në Qendrën Urgjente.

Analizat e ujit janë në zhvillim

Koçinski bëri të ditur se, me kërkesë të Prokurorisë Publike, ekipet e ISHP-së kanë dalë në terren dhe kanë marrë mostra të ujit për analiza mikrobiologjike dhe fiziko-kimike.

Nga Prokuroria Themelore Publike e Gostivarit njoftuan se rezultatet e analizave pritet të jenë gati nesër, pas së cilës do të vendoset për hapat e mëtejshëm të procedurës. Ndërkohë, me urdhër të prokurorit publik, lokacioni në Vrutok vazhdon të jetë i siguruar.

ISHP: Uji të mos përdoret as pas zierjes

Instituti i Shëndetit Publik u bëri thirrje qytetarëve që deri në njoftimin zyrtar për heqjen e ndalimit të mos përdorin ujin nga ujësjellësi i qytetit, madje as pas zierjes.

ISHP rekomandon:

  • të mos përdoret uji i ujësjellësit për pije dhe gatim;
  • të përdoret vetëm ujë i ambalazhuar për pirje, përgatitje ushqimi, pijeve, akullit dhe ushqimit për foshnja;
  • të mos përdoret uji për larjen e frutave dhe perimeve që konsumohen të freskëta;
  • për larjen e dhëmbëve të përdoret vetëm ujë i sigurt;
  • për dush dhe larje të përdoret ujë i ambalazhuar ose ujë i zier, duke shmangur gëlltitjen e tij;
  • restorantet dhe objektet hotelierike të mos përdorin ujin e ujësjellësit për përgatitjen e ushqimit dhe pijeve, si dhe të mos përdorin makinat për akull;
  • në çerdhe, fëmijëve t’u jepet vetëm ujë i ambalazhuar dhe ushqimi të përgatitet vetëm me ujë të sigurt.

Hetimet vazhdojnë

Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, deklaroi një ditë më parë se rezultatet e para të analizave priten të hënën, ndërsa institucionet kompetente po vazhdojnë hetimet për të përcaktuar shkakun e ndotjes së ujit dhe të rasteve të shumta të helmimit në Gostivar.

Rasti ka shkaktuar reagime të shumta politike dhe institucionale, ndërsa autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të respektojnë të gjitha rekomandimet shëndetësore deri në publikimin e rezultateve përfundimtare të analizave.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër