Prokuroria: Banorët e Gostivarit konsumuan ujë me ndotje fekale nga 26 qershori deri më 16 korrik

Nga Xh M
3,522 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Gostivar, 20 korrik Zhurnal.mk – Banorët e Gostivarit kanë konsumuar ujë të ndotur me fekale, me nivel të baktereve koliforme 48 herë mbi kufirin e lejuar, kanë treguar rezultatet e analizave të mostrave të marra nga Instituti i Shëndetit Publik, të cilat sonte i publikoi Prokuroria Themelore Publike.

Sipas Prokurorisë, pompat në Gostivar, të cilat kanë futur ujëra të ndotura në rrjetin qendror të ujësjellësit nga i cili furnizoheshin qytetarët, janë vendosur më 26 qershor 2026 dhe kanë ndaluar së punuari vetëm pasi Prokuroria ka nisur hetimet më 16 korrik.

Kjo do të thotë se për 20 ditë banorët e Gostivarit kanë pirë ujë të kontaminuar, janë larë me të dhe e kanë përdorur për nevoja të ndryshme shtëpiake.

Me urdhër të prokurorit publik, Instituti i Shëndetit Publik ka kryer analiza të mostrave të ujit sipërfaqësor nga kanali i hapur, ku është konstatuar se uji ishte shumë i ndotur dhe i papërdorshëm për çdo qëllim për shkak të pranisë së baktereve koliforme në nivel prej 2419,6 cfu/100 ml, ndërsa kufiri maksimal i lejuar është 50 cfu/100 ml.

Në mostrat e marra nga burimi i kapur është konstatuar gjithashtu numër i rritur i kolonive bakteriale mezofile aerobe, si dhe prani e baktereve koliforme, ku sipas standardeve nuk duhet të ketë asnjë bakter në 100 ml ujë, ndërsa janë gjetur 39 cfu/100 ml.

“Për shkak të nivelit të lartë të ndotjes, uji është bërë i papërdorshëm dhe nuk është i sigurt për konsum dhe përdorim nga njerëzit”, njoftoi Prokuroria.

Mikrobiologu, profesor doktor Nikola Panovski, ka shpjeguar se bakteret koliforme janë tregues të ndotjes fekale të ujit.

“Emri vjen nga bakteri Escherichia coli, ndërsa fjala ‘coli’ lidhet me kolonin (zorrën e trashë). Në këtë grup përfshihen edhe proteusi, klebsiella dhe të tjera. Këto baktere gjenden në numër të madh në zorrët e çdo njeriu dhe eliminohen përmes jashtëqitjes. Ato janë tregues se uji është përzier me fekale”, ka deklaruar Panovski.

Sipas tij, vetë bakteret koliforme nuk janë domosdoshmërisht të rrezikshme nëse konsumohen, por tregojnë se në ujë mund të ketë edhe mikroorganizma patogjenë si salmonela, shigela, viruse si hepatiti A, si dhe parazitë të ndryshëm.

Prokuroria ka urdhëruar gjithashtu analizën e një mostre të marrë nga një çezmë në rrugën “JNA” në Gostivar, ku është konstatuar nivel i lartë i klorit. Përqendrimi i klorit rezidual ishte 1,1 mg/l, ndërsa vlera maksimale e lejuar është nga 0,2 deri në 0,3 mg/l, dhe jo më shumë se 0,5 mg/l.

Sipas dyshimeve, sasia e rritur e klorit mund të jetë përdorur për të “mbuluar” ndotjen, duke tentuar pastrimin e ujit pas kontaminimit.

Për këtë rast, Prokuroria Themelore Publike në Gostivar ka nisur hetim ndaj tre personave për veprën penale “vepra të rënda kundër mjedisit dhe natyrës, të shkaktuara me ndotje të ujit të pijshëm”.

Të dyshuar janë:

drejtoresha e NP “Komunalec” në Gostivar, Artana Asani;
udhëheqësi teknik i sektorit për punë teknike, Leon Nuredini;
udhëheqësi i sektorit për ujësjellës, kanalizim dhe punë ndërtimore, Vadedin Dervishi.

Sipas Prokurorisë, ata më 25 qershor kanë urdhëruar punonjësit e ndërmarrjes të vendosin tri pompa zhytëse në një kanal me ujë sipërfaqësor të ndotur pranë dhomës së ujit të pijshëm, me qëllim testimin e presionit të ujit.

Gjatë kontrollit më 16 korrik është konstatuar se dy pompa ende ishin në funksion dhe përmes tubave e kanë transferuar ujin me baktere koliforme nga kanali i hapur në dhomën ku ndodhej uji i sistemit të furnizimit me ujë të pijshëm.

Prokuroria thekson se ka ndodhur përzierje e ujit të ndotur me ujin e pijshëm dhe transferim i substancave të dëmshme në rrjetin kryesor të furnizimit.

Mbetet e paqartë se si Qendra për Shëndet Publik në Tetovë më 29 qershor ka lëshuar raport dhe mendim të nënshkruar nga mjeku, ku thuhej se uji ishte i sigurt për përdorim.

Prokuroria vlerëson se janë plotësuar kushtet për dyshim të bazuar se është kryer vepra penale dhe do të vazhdojë hetimet për zbardhjen e plotë të rastit.

Të dyshuarit janë ndaluar dhe gjatë ditës së nesërme prokurori publik do të vendosë nëse do t’i propozojë gjykatës masa për sigurimin e tyre.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër