Mungojnë Veliaj dhe avokati, shtyhet seanca ndaj kryebashkiakut të Tiranës – avokati Ndreca gjobitet me 50 mijë lekë

Nga D. V.
1,140 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 21 korrik, Zhurnal.mk – Seanca e radhës gjyqësore ndaj Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj nuk u zhvillua rregulloisht këtë të martë dhe u shty për datën 15 shtator, për shkak se mungonin vetë Veliaj, avokati i tij, Plarent Ndreca dhe bashkëshortja e Veliajt, Ajoa Xoxa.

Avokati Ndreca kishte depozituar kërkesë për shtyrje të seancës me arsyetimin se në të njëjtën orë kishte një çështje tjetër, këtë herë civile, ku mbronte interesat e Arbjan Maznikut, raporton A2 CNN.

Ndërsa avokati i Xoxës deklaroi se e pandehura nuk e ka të mundur të jetë e pranishme në seancë, pasi sipas vlerësimit të mjekut tek i cili ka bërë konsultë pas lindjes, rezulton të jetë në të njëjtën gjendje.

Të pranishëm në seancë ishin prokurorët e çështjes, Altin Dumani dhe Ols Dado, të cilët kundërshtuan pretendimet e mbrojtjes.

“Pengesë për zhvillimin e seancës po bëhet mbrojtja e Veliajt. Duhet që gjykata të caktojë edhe një mbrojtës kryesisht, të vendosë gjobë sipas vlerësimit të gjykatës dhe të pezullohen afatet e paraburgimit. Për raportin mjekësor, gjykata e ka dhënë përgjigjen. Nuk bëhet fjalë për pamundësi të marrë pjesë në proces gjyqësor, nuk e pengon operacioni të marrë pjesë në proces gjyqësor”, deklaruan prokurorët.

Pasi u tërhoq për vendimin, Gjykata vendosi se raporti mjekësor i paraqitur nga Xoxa nuk tregon pamundësinë për të marrë pjesë në seancë. Megjithatë, duke parë mungesën e Veliajt dhe avokatit të tij, Gjykata vendosi të ndërpresë seancën dhe ta shtyjë për në 15 shtator, në orën 10:00.

Gjykata gjithashtu vendosi të gjobisë avokatin e Veliajt, Plarent Ndreca, me 50 mijë lekë (rreth 500 euro) si dhe caktoi krahas tij avokaten Valentina Toedoresku.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër