Institucionet alarmojnë: Uji në Gostivar është i papërshtatshëm, organizohet shpërndarja me cisterna

Nga I.A
713 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 22 korrik, Zhurnal.mk – Uji nga rrjeti i ujësjellësit në Gostivar aktualisht është i papërshtatshëm si për pije, ashtu edhe për përdorim teknik, kanë treguar analizat e Institutit të Shëndetit Publik, për çka institucionet kompetente u bëjnë apel qytetarëve të mos e përdorin deri në njoftimin e radhës.

Kjo u komunikua pas seancës së sotme të Shtabit Kryesor pranë Qendrës për Menaxhim me Kriza, të kryesuar nga ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, në prani të drejtorit të QMK‑së, Muhamet Ali. Në seancë u shqyrtuan informacionet dhe analizat për gjendjen e furnizimit me ujë në Komunën e Gostivarit, pas së cilës u morën disa masa për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve.

Shtabi Kryesor e ka detyruar Komunën e Gostivarit që urgjentisht të propozojë lokacione dhe persona kontaktues për vendosjen e pikave të shpërndarjes së ujit teknik për objektet me rëndësi vitale. Ndërkohë, Instituti i Shëndetit Publik, NP “Ujësjellësi” – Shkup dhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë do të vazhdojnë me testime të shtuara të cilësisë së ujit, ndërsa rezultatet do t’i dorëzojnë rregullisht te Shtabi Kryesor.

Ushtria e Maqedonisë ka vënë në gatishmëri dy cisternat për shpërndarjen e ujit teknik, të cilat do të angazhohen nëse vlerësohet se ka nevojë.

Përveç kësaj, komunat Kumanovë, Tetovë, Debar, Kërçovë, Kavadarci dhe Negotinë do të sigurojnë ujë teknik me cisternat e tyre për nevojat e banorëve të Gostivarit, në pika të përcaktuara paraprakisht.

Në përputhje me vendimin e Qeverisë, Shërbimi për Çështje të Përgjithshme dhe të Përbashkëta do të vazhdojë me shpërndarjen e ujit të pijshëm për qytetarët e Komunës së Gostivarit.

Nga Qendra për Menaxhim me Kriza u bëhet apel banorëve të Gostivarit që t’i respektojnë në mënyrë të rreptë rekomandimet e institucioneve kompetente dhe të ndjekin rregullisht informacionet zyrtare për zhvillimin e mëtejshëm të situatës.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër