Pas dekretimit të dorëheqjeve të prokurorëve serbë, reagon Ambasada britanike

Nga D. V.
1,445 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 23 korrik, Zhurnal.mk – Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në sistemin e drejtësisë në Kosovë, pas dekretimit të dorëheqjeve të shtatë prokurorëve serbë nga ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu.

Në reagimin e saj, Ambasada britanike ka theksuar rëndësinë e integrimit të të gjitha komuniteteve në sistemin e drejtësisë dhe ka shprehur shqetësim për zhvillimet e fundit, duke kërkuar që të ruhet besimi i qytetarëve në institucionet e sundimit të ligjit.

“Mbretëria e Bashkuar e mirëpriti Marrëveshjen për Drejtësinë të vitit 2015, e cila integroi strukturat e veriut të Kosovës në kornizën ligjore të Kosovës, duke garantuar njëkohësisht përfaqësim të konsiderueshëm të serbëve të Kosovës”, thuhet në njoftimin e Ambasadës.

Ambasada rikujtoi se dorëheqjet masive të gjyqtarëve, prokurorëve dhe stafit administrativ në vitin 2022 i kishte konsideruar si një hap prapa, që sipas saj dëmtoi interesat e qytetarëve të Kosovës.

“Ne i konsideruam dorëheqjet masive të gjyqtarëve, prokurorëve dhe stafit administrativ në vitin 2022 si një hap prapa, duke dëmtuar interesat e qytetarëve të Kosovës”, thuhet më tej.

Ambasada britanike ka bërë thirrje që komunitetet e ndryshme në Kosovë të jenë pjesë e sistemit të drejtësisë, me qëllim forcimin e besimit publik në institucionet e sundimit të ligjit.

“Ne bëjmë thirrje për integrimin e popullsisë multietnike të Kosovës në sistemin e drejtësisë, për të mbështetur besimin e publikut në institucionet e sundimit të ligjit në Kosovë”, përfundon reagimi.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër