Ukraina kërkon mbledhje urgjente të KS-së pas sulmeve ruse në Detin e Zi

Nga D. V.
586 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Kiev, 23 korrik, Zhurnal.mk – Ukraina ka kërkuar mbajtjen e një mbledhjeje urgjente të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara më 27 korrik, pas sulmeve ruse ndaj anijeve në Detin e Zi, bëri të ditur ministri i Jashtëm në detyrë i Ukrainës, Andrii Sybiha.

Në një deklaratë të publikuar në rrjetin social X, Sybiha tha se të paktën tre anije civile të transportit të mallrave janë sulmuar ditët e fundit, ndërsa “disa dhjetëra” anëtarë të ekuipazheve janë vrarë ose plagosur.

Ai theksoi se asnjë anije nuk kaloi dje përmes korridorit detar ukrainas në Detin e Zi, pikërisht në kulmin e sezonit të korrjeve.

“Kjo është një formë e qëllimshme terrori ekonomik dhe humanitar. Rusia po mban peng sigurinë ushqimore globale”, shkroi Sybiha, duke u bërë thirrje shteteve, veçanërisht atyre që preken nga situata, të kërkojnë menjëherë ndërprerjen e sulmeve ruse ndaj lirisë së lundrimit në Detin e Zi.

Sipas tij, “asnjë vend nuk ka të drejtë ta çojë botën në uri” dhe vetëm presioni i bashkësisë ndërkombëtare mund t’i japë fund këtyre veprimeve.

Edhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky kërkoi shtimin e presionit ndaj Moskës dhe vendosjen e sanksioneve më të ashpra.

“Në plan afatgjatë do të ketë sanksione, në plan afatmesëm do të ketë goditje, ndërsa në vijën e frontit do të mbajmë pozicione të forta. Të gjitha këto do të realizohen”, deklaroi ai në fjalimin e tij të përnatshëm.

Zelensky njoftoi gjithashtu se është takuar me ambasadorin amerikan në NATO, Matthew Whitaker, me të cilin ka diskutuar për sistemet e mbrojtjes ajrore “Patriot”.

“Na duhen raketa për të mbrojtur jetën e njerëzve tanë. Nuk mund të ketë mungesë të raketave për të neutralizuar raketat balistike, siç ka ndodhur muajt e fundit. Është e rëndësishme që partnerët tanë të na ndihmojnë”, tha presidenti ukrainas.

Ai shtoi se ka zhvilluar bisedime edhe me të dërguarit amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner për ringjalljen e përpjekjeve diplomatike me synim përfundimin e luftës.

Ukraina po përballet me pushtimin e plotë rus prej më shumë se katër vitesh.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër