Riad, 27 korrik, Zhurnal.mk – Arabia Saudite njoftoi sot se ka rrëzuar dronë të lëshuar nga milicitë e mbështetura nga Irani në Irak, të cilët kishin në shënjestër objektet e naftës në lindje të vendit dhe kryeqytetin e Riadit, sipas AP.
Sulmi vjen në një moment kur SHBA-ja dhe Irani kanë pezulluar përkohësisht sulmet ndaj njëri-tjetrit pas disa javësh përshkallëzimi.
Sipas dy zyrtarëve rajonalë, ndërmjetësuesit të udhëhequr nga Katari dhe Pakistani, kanë bërë përparim në përpjekjet për të rikthyer SHBA-në dhe Iranin, në tryezën e negociatave dhe për të shmangur një luftë të gjerë në Lindjen e Mesme.
Prej tre ditësh, nuk janë raportuar sulme të reja nga asnjëra palë, pas rreth dy javësh bombardimesh intensive.
Zyrtarët thanë se po punohet për rikthimin e një armëpushimi të përkohshëm dhe për krijimin e një mekanizmi mes Iranit dhe Omanit, që do të garantojë lundrim të sigurt në Ngushticën e Hormuzit, rruga kryesore për transportin e naftës në botë.
Nga ana tjetër, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghaei konfirmoi se ndërmjetësuesit po përcjellin mesazhe mes palëve, por theksoi se nuk ka negociata të drejtpërdrejta mes Teheranit dhe Uashingtonit.
Ndërkohë, SHBA-ja tha se bllokada detare ndaj Iranit vazhdon, ndërsa trafiku tregtar në Ngushticën e Hormuzit ka rënë në nivelin më të ulët të tre javëve të fundit.
