Tiranë, 27 korrik Zhurnal.mk – Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka deklaruar se perspektiva evropiane e vendeve të Ballkanit Perëndimor përbën një investim strategjik për të ardhmen e përbashkët, raporton Anadolu.
Kryediplomati Hoxha ka pritur në një takim ministrin kroat të Punëve të Jashtme dhe Evropiane, Gordan Grliq Radman, ndërkohë në deklaratën e tyre të përbashkët u foksuan në disa çështje, me fokus bashkëpunimin mes dy vendeve, bashkëpunimin rajonal dhe perspektivën evropiane të Shqipërisë.
Ministri Hoxha theksoi se prej vitit 2018, Shqipëria dhe Kroacia i kanë ngritur marrëdhëniet në nivelin e partneritetit strategjik.
“Lidhur me situatën dhe zhvillimet në rajon, ndamë vlerësimin e përbashkët se perspektiva evropiane e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, e bazuar në meritë dhe në përmbushjen e standardeve evropiane, përbën një investim strategjik për të ardhmen tonë të përbashkët evropiane. Paqja dhe stabiliteti afatgjatë në Ballkanin Perëndimor janë jo vetëm një aspiratë politike, por një domosdoshmëri historike dhe një përgjegjësi e përbashkët. Ato mund të ndërtohen vetëm përmes politikave të fqinjësisë së mirë, forcimit të bashkëpunimit bilateral dhe shumëpalësh rajonal, respektit të ndërsjellë, si dhe përmes veprimeve konkrete dhe gjesteve të sinqerta të vullnetit të mirë që krijojnë besim dhe hapin rrugën drejt pajtimit të qëndrueshëm”, tha Hoxha.
Hoxha theksoi ndër të tjera se me homologun kroat kanë theksuar rëndësinë e veçantë të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, sipas tij si një proces i domosdoshëm për normalizimin e marrëdhënieve.
Kryediploamti kroat, Grliq Radman, theksoi se Shqipëria ka pritur gjatë për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian (BE) dhe shtoi se mendon së tashmë është koha.
Ai shtoi se mbyllja e përkohshme e disa kapitujve është një moment i rëndësishëm që konfirmon përkushtimin e vazhdueshëm të Shqipërisë për arritjen e objektivit strategjik për anëtarësimin ne BE.
Grliq Radman theksoi se me homologun Hoxha ka diskutuar edhe për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, duke përfshirë partneritetin trepalësh Kroaci-Shqipëri-Kosovë, si dhe për bashkëpunimin policor, menaxhimin e emigracionit dhe mbrojtjen e kufijve.
“Kroacia dhe Shqipëria kultivojnë tradiconliasht marrëdhënie të afërta dhe miqësore të ndërtuara mbi besimin e ndërsjellë, vlerat e përbashkëta dhe aleancën tonë të fortë në kuadër të anëtarësimit të përbashkët në NATO”, tha kryediplomati kroat.
