Shkup, 31 korrik, Zhurnal.mk – Grupi parlamentar i Frontit Evropian ka dorëzuar në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut një propozim-vendim për themelimin e një Komisioni Anketues, me qëllim zbardhjen e plotë të incidentit të ndodhur në ambientet e Kuvendit, gjatë të cilit, sipas tyre, një anëtar i Qeverisë ka përdorur gjuhë fyese dhe nënçmuese ndaj deputetëve informon Tetovasot.
Në kumtesën për media, Fronti Evropian thekson se Kuvendi është institucioni më i lartë përfaqësues i qytetarëve dhe se çdo sjellje që cenon dinjitetin e deputetëve dhe autoritetin e tij përbën sulm ndaj institucioneve demokratike, duke kërkuar përgjegjësi politike dhe institucionale.
Sipas tyre, Komisioni Anketues duhet të hetojë në mënyrë objektive dhe të paanshme kronologjinë e ngjarjes, sjelljen e të gjithë personave të përfshirë, veprimet e institucioneve dhe të shërbimeve të Kuvendit, si dhe të konstatojë nëse janë shkelur dinjiteti i Kuvendit, të drejtat e deputetëve dhe parimet e transparencës, llogaridhënies dhe sundimit të ligjit.
Një nga çështjet që, sipas Frontit Evropian, duhet të shqyrtohet është edhe refuzimi për t’u mundësuar qasje në incizimet e sistemit zyrtar të videombikëqyrjes së Kuvendit. Ata vlerësojnë se, për shkak të interesit publik, duhet të verifikohet nëse ky refuzim është bërë në përputhje me ligjin, Rregulloren e Kuvendit dhe standardet e transparencës institucionale.
Fronti Evropian u bën thirrje të gjithë deputetëve, pa dallim përkatësie politike, ta mbështesin iniciativën, duke theksuar se votimi për themelimin e Komisionit Anketues është një votë për transparencën, të vërtetën, llogaridhënien dhe mbrojtjen e autoritetit të Kuvendit.
Në fund, grupi parlamentar thekson se do të vazhdojë të mbrojë dinjitetin e Kuvendit dhe parimet e shtetit të së drejtës, duke kërkuar që asnjë incident i kësaj natyre të mos mbetet pa përgjegjësi institucionale.
