Ambasadori Meidani: Marrëveshja e Ohrit konfirmoi rolin shtetformues të shqiptarëve

Nga D. V.
994 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 13 Zhurnal.mk – Ambasadori i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, ka përkujtuar 25-vjetorin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, duke theksuar rëndësinë historike të saj për paqen, barazinë dhe zhvillimin demokratik të vendit.

Në një mesazh publik, Meidani vlerësoi se më 13 gusht 2001, Maqedonia e Veriut zgjodhi marrëveshjen në vend të konfliktit, duke vendosur themelet e një rendi kushtetues modern të bazuar në barazi, përfaqësim të drejtë, përdorimin zyrtar të gjuhëve dhe decentralizim.

Sipas ambasadorit Meidani, Marrëveshja Kornizë e Ohrit mbetet gurthemeli i funksionimit të shtetit dhe ka vulosur një realitet që nuk mund të vihet në diskutim.

“Shqiptarët janë pjesë shtetformuese e Maqedonisë së Veriut dhe të drejtat e tyre janë pjesë integrale e vetë arkitekturës kushtetuese të shtetit”, ka theksuar Meidani.

Ai nënvizoi se, edhe 25 vjet pas nënshkrimit të marrëveshjes, sfida kryesore mbetet zbatimi i saj i plotë, duke përfshirë përdorimin e gjuhës shqipe sipas ligjit, përfaqësimin e drejtë dhe adekuat me garanci reale, si dhe decentralizimin funksional.

Sipas tij, këto parime janë standarde mbi të cilat është ndërtuar paqja e vitit 2001 dhe perspektiva evropiane e vendit.

Meidani ritheksoi gjithashtu mbështetjen e Shqipërisë për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe për rrugëtimin evropian të shtetit.

“Shqipëria do të jetë gjithmonë pranë të drejtave të shqiptarëve dhe pranë një Maqedonie të Veriut sovrane, demokratike dhe evropiane. Këto dy qëndrime nuk përjashtojnë njëri-tjetrin. Përkundrazi, një shtet është më i fortë kur qytetarët e tij janë dhe ndihen të përfshirë e të barabartë”, ka deklaruar ambasadori shqiptar, duke uruar 25-vjetorin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër