Bushi: Situata në Abaze të Krujës vijon shqetësuese, monitorim i pandërprerë

Nga D. V.
488 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 13 gusht, Zhurnal.mk – Në bashkinë e Krujës 24 orët e fundit kanë qenë tepër problematike, të ndikuara edhe nga temperaturat rekord të ditës së djeshme dhe erërat e forta, të cilat vështirësuan ndjeshëm situatën në terren.

Kryetari i bashkisë së Krujës, Artur Bushi tha sot se si pasojë, gjatë orëve të drekës u riaktivizuan të gjitha vatrat në Abaze, Zidoll, Gryka e Vajës dhe Boje, duke rrezikuar zonat e banuara.

Sipas tij, në Abaze situata u përshkallëzua deri në nevojën për evakuimin e banorëve.

Falë angazhimit të jashtëzakonshëm të forcave zjarrfikëse, ekipeve të Emergjencave Civile, Forcave të Armatosura dhe komunitetit të zonës, situata është monitoruar në mënyrë të pandërprerë, duke ndërhyrë sa herë vatra aktivizohej.

Kryebashkiaku Bushi tha se “situata mbetet shqetësuese dhe kërkon vigjilencë të vazhdueshme”.

“Për këtë arsye, të gjitha strukturat janë në terren dhe do të vijojnë punën për monitorimin dhe menaxhimin e situatës, me qëllim mbrojtjen e banorëve dhe të zonave të banuara’, tha Bushi.

Gjatë ditëve të fundit për shkak të temperaturave të larta dhe zjarrvënieve në Krujë u shënuan një sërë vatrash zjarri.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër